Fusha e Torovicës “rikthehet” në kënetë: 400 ha tokë ende në ujë, dëme të mëdha në bujqësi
Rreth 400 hektarë tokë mbeten nën ujë në fushën e Torovicës, që ngjan si kënetë për shkak se hidrovori i Balldrenit nuk funksionon siç duhet, pasi niveli i tokës është ulur me dy metra ndër vite.
Ndonëse reshjet e shiut janë ndërprerë prej disa ditësh, situata e krijuar nga përmbytjet, në Fushën e Torovicës vijon të mbetet e rënduar. Rreth 400 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën pushtetin e ujit.
Kjo përmbytje ka goditur rëndë sektorin e bujqësisë në këtë zonë, nga i cili e kanë të varur jetesën shumë familje.
“Katër deri në gjashtë dynym është më i pakti. Kam miq dhe shokë që kanë mbjellë nga 30 dylym dhe 50 dylym. Gjithça ka ikur, kan kaq ditë që rrijnë në ujë, s’ka lëvizur uji hiç. 5 dynym i kam dhe unë të mbytur, krejtë dhe 3 dylym jonzhë,” thonë fermerët.
Fermerët thonë se kjo është një situatë që përsëritet çdo vit dhe asnjëherë nuk janë kompensuar, për dëmet e shkaktuara.
“Ju bëj thirrje mos të rrijnë në zyrë, po të ngrejnë komisionin të shohin dëmet që janë bërë. S'na ka ardhur askush, as të na shohë apo të pyesi, sikur të mos jemi shqiptarë.
Është katastofë, domethënë sot,” thonë ata.

Shkaku i mosevadimit në kohë të ujërave në Fushën e Torovicës, është mosfunksionimi siç duhet i hidrovorit të Balldrenit, pasi niveli i tokës ka rënë me rreth 2 metra dhe pompat nuk thithin.
Si zgjidhje shihet ndërtimi i një hidrovori të ri në këtë zonë, projekti i të cilit është gati prej disa vitesh, por ende nuk është financuar nga Ministria e Bujqësisë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.