Durrës: "Arrest me Burg” në koma për shoferin e aksidentit ku humbën jetën dy vajza
26 vjeçari i mbijetuar i aksidentit në autostradën Durrës-Tiranë, ku humbën jetën dy vajza, mbetet në gjendje kome në spital për shkak të plageve. Ndërkohë Gjykata e Durrësit ka caktuar për të, masën e sigurisë arrest me burg.
Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Arbër Tivarin, ndërsa i riu po lufton për jetën pas aksidentit në autostradën Tiranë Durrës, ku humbën jetën dy vajza.
Ai ishte drejtuesi i makinës që u përplas me bordurën anësore, e për pasojë Roxhesa Klironomi 24 vjeçe dhe Silva Gjergji 26 vjeçe, mbetën viktima.
26 vjeçari Tivari, po ashtu mori dëmtime të rënda dhe aktualisht ndodhet në gjendje kome në Spitalin e traumës në Tiranë, ku u transportua për trajtim të specializuar.
Aksidenti tragjik u shënua në orët e para të së dielës, 27 nentor 2022 ndërsa tre të rinjtë po udhëtonin nga Durrësi drejt Kryeqytetit.
Nga të dhënat e hetimit, dyshohet se shkak ka qenë humbja e kontrollit të mjetit, në kushtet e shpejtësisë së lartë të cilën po drejtonte 26 vjeçari, i cili tashmë akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Arbër Tivari, rezulton një person i njohur për policinë e Durrësit.
Në mars të vitit 2021, ai u plagos nga Alket Buçpapaj, i cili po ashtu njihej si person problematik për drejtësinë.
Pas plagosjes, kur policia i bëri kontroll në banesë i gjetën municione luftarake.
26 vjeçari po ashtu rezulton, se është arrestuar edhe më herët për shpërndarje lëndësh narkotike dhe vjedhje.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
