Sulmi kibernetik: Hakerat kishin 2 vjet që sulmonin sistemin e AKSHI-t, hynë përmes administrata.al

Detaje të reja lidhur me hetimet për sulmet kibernetike në Shqipëri për të cilën 5 punonjës të IT  pranë Departamentit të Administratës Publike akuzohen për shpërdorim detyre.

Gazetarja e Ora News, Keti Banushi informon se nga hetimi ka rezultuar se hakerat kanë sulmuar për 2 vjet AKSHI-n por nuk kanë mundur të hakerojnë. Më pas kanë arritur të kenë akses përmes administrata.al. Aty kanë futur virusin dhe i kanë dhënë komandë duke tentuar të shkatërrojnë sistemin e AKSHI-t  

Pesë punonjësit e IT të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe ndaj të cilëve sot (30 nentor 2022) është kërkuar masa e sigurisë arrest shtëpie kanë pasur detyrë të ruajnë sistemin dhe të azhornonin antiviruset.

Dosja po hetohet nga prokurori Bledar Valikaj.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me:" urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t" thuhet në njoftimin e sotëm prokurorisë

Personat e identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, të cilët me mosveprimet e tyre nuk kanë bërë të mundur identifikimin më parë janë:

Alketa Sulo - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;

Altin Sallaku - Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;

Rudina Llagami - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;

Igli Lubonja - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe

Albi Gjeka - Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike

Deri tani të akuzuar si përgjegjës për sulmin kibernetik të Iranit që çoi në rënien e të gjithë sistemit kompjuterik janë në nivel specialitësh IT por Ora Neës mëson se ka dhe persona të tjerë që priten të procedohen.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.