"Mjalti i huaj po dëmton vendasin", bletërritësit ngrenë zërin: Po na godet pandershmëria
Mjalti i importuar, pa cilësi e më çmim të ulët është duke dëmtuar prodhuesit vendas. Ata i bëjnë apel shtetit për një politikë më të forte, sa i përket çertifikimit të mjaltit, dhe në këtë mënyrë mjalti bio vendas të ketë përparësi.
10 vjet më parë Ritvan Llanaj nga Çerkani i Fierit kishte vetëm 4 koshere me bletë.
Pasioni i trashëguar nga gjyshi, bëri që ai t’i përkushtohej maksimalisht rritjes së bletëve dhe sot ai numëron 120 koshere.
Rreth 500 kilogramë mjaltë është prodhimi në një vit.
Si çdo sektor tjetër edhe bletaria po përballet me problematika.
Konkurrenca e pandershme dhe mjalti i importuar duke mos i dhënë përparësi prodhimit vendas, janë problemet kryesore me të cilat po përballet ky sektor.
“Konkuron gjithmonë malli që vjen nga jashtë. Jo i cilësisë së duhur, vetëm ka aromën dhe jo mjalt origjinal bio, si ne që e tregëtojmë gjithmonë. Kjo na pengon për rritjen e numrit të blërëve. Na godit pandershëria, në produktin tonë,” tha Ritvan Llanaj, fermer.
Ritvan Llanaj apelon institucionet shtetërore që të ndërhyjnë duke favorizuar prodhimin vendas.
“Konkurenca e pandershme na godit dhe në çmim dhe në cilësi, për arsye se shteti nuk është në nivelin e duhur për kontrollin e ciësisë dhe matrikullimin e produktit që ne nxjerrim në shitje. Do të ishte shumë e nevojshme çertifikimi i produkteve, për arsye të konsumatorit, të gjejë mallin që dëshiron gjithmonë,” tha ai.
Një tjetër problem që po pëballen bletërritësit janë edhe subvencionet, të cilat sipas tyre mungojnë, duke e bërë të vështirë këtë fushë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
