28 Nëntori bashkon Shqipërinë e Kosovën, Statovci: Mundësi për më tepër nëse s'do ishin të etur për karrige
Sot në parlamentin shqiptar në Tiranë u mblodhën deputetë e figura të politikës shqiptare dhe asaj të Kosovës, në kuadër të 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Bedri Statovci, profesor i shkencave ekonomike në Fakultetin e Prishtinës i ftuar në një intervistë për Ora News e pa këtë seancë të përbashkët si historike, por tha se sot deputetët kanë më shumë mundësi të bëjnë vepra drejt unifikimit të vendeve, po të mos ishin më të etur për karrigen sesa për kombin.
Bedri Statovci: Unë mendoj se kjo seancë e përbashkët ka një karakter historik me atë çfarë po kalon Shqiptaria në përgjithësi, e Kosova në veçanti. Mendoj se ky 110 vjetor duhet të na gjente më të përgatitur, ndoshta për akte shumë më të fuqishme historike.
Por sido që të jetë unë mendoj se ka kaluar një kohë që qeveritë tona, ato të shkuara dhe këto të tanishmet, kanë një inat mes vetes dhe janë duke punuar pak në unifikimin e qëndrimeve, ligjeve, pse jo unifikim e shtetit.
Kur arriti Ismail Qemali, Isa Boletini në atë kohë kur nuk kishte mjetet e infomacionit, të bëjnë vepra sublime, historike që sot ne po i festojmë bashkarisht, pse sot nuk mundët këta deputetë të kohës së dixhitalizimi të bëjnë më shumë, të japin më shumë e të shkojmë drejt një unifikimi.
Koha është në favorin tonë nëse dimë ta shfrytëzojmë, nëse nuk dimë kam frikë se sot njerëzit janë të etur më shumë për karrige, sesa për çështjet madhore e sublime, si të kombit ashtu dhe të shtetit.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.