"28 Nentori": Kurti “pajtohet” me Ramën por jo opozita. Demokratët bojkotojnë Alibeajn, Berisha Ramën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri shqiptar Edi Rama duket se i kanë sheshuar pakënaqësitë e "Open Ballkan", të paktën në dy orët që zgjati seancë e përbashkët e organizuar sot (27 nentor 2022) në parlamentin shqiptar me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.
Krerët e qeverisë janë shfaqur sa të qetë aq edhe miqësorë teksa kanë shkëmbyer edhe batuta mes tyre.
Por kjo sjellje nuk është shfaqur mes vetë deputetëve të Shqipërisë, që nuk i kanë fshehur ndasitë brenda llojit por edhe mes kundërshtarëve politikë.
Në sallën e tej mbushur me parlamentarë, qëndrimi vëllazëror nuk zgjati deri në fund. Një pjesë e deputetëve demokratë nuk pranoi të qëndronte për të dëgjuar fjalën e Enkelejd Alibeajt, të cilin nuk e njohin si kryetar, por i mandatuar prej protokollit për të ligjëruar në foltoren e 110 vjetorit të pavarësisë. Dhe pamjet e tregojnë vetë reagimin.
Vetë Berisha u bë pjesë e seancës duke dëgjuar të gjithë folësit, por pa pranuar të jetë në seancë kur deputetëve iu drejtua Edi Rama.
Qëndrimin e tij kreu i demokratëve e ka dhënë për gazetarët në sheshin para kuvendit, pikërisht gjatë fjalës së Ramës.
Sali Berisha: Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi i pavarësisë deri më sot. Një nga armiqtë më kryesorë të Kosovës, njeriu i cili është tashmë i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Aleksandër Vuçiç, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiçin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë.”
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe përfaqësuesi i Partisë së Lirisë në parlament, Petrit Vasili.
Petrit Vasili: “Rama duhej te deklaronte heqjen e traut për vëllezërit dhe motrat nga Kosova, ku edhe deputetët mysafirë nga Kosova kanë paguar Ramën dhe oligarkët për të ardhur ne tokën amë.
Rama u shërben vetëm interesave te Beogradit. Sa kohë të jetë Rama kryeministër këto takime do të jenë jo të sinqerta sepse ai i shërben Vuçiçit dhe izolimit te Kosovës.”
Të hënën pritet që të dy delegacionet e Shqipërisë dhe të Kosovës të vazhdojnë festimet, ku Vlora do të jetë sërish në qendër të 110 vjetorit të pavarësisë.





Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.


