Berisha bojkoton fjalën e Ramës në Kuvend: Është armik i shqiptarëve dhe vasal i Vuçiçit

Ndërkohë që kryeministri Rama ishte duke folur në kuvend në mbledhjen e përbashkët me parlamentin e Kosovës, Berisha ka folur jashtë kuvendit për mediet.

Berisha tha se nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit në Evropë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë.

Ndërkohë, Berisha theksoi se Rama është njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi deri më sot dhe një nga armiqtë më kryesorë të Kosovës.

Sali Berisha: Ju uroj shqiptarëve sot, gëzuar përvjetorin e pavarësisë, shpreh dhe përulem me nderimin më të madh përpara Ismail Qemalit, Ibrahim Rugovës dhe burrave të mëdhenj të botës që bënë të pamundurën që Shqipëria dhe Kosovës të jenë dy vende të pavarura.

Një nderim i veçantë u përket atyre që derdhën gjak që sakrifikuan për lirinë dhe jetën që të jemi të pavarur. Asnjë komb nuk ka sakrifikuar për liri më shumë se shqiptarët. Nën udhëheqjen e komandantit Adem Jashari, shqiptarët kryen luftën e fundit në Evropë dhe Kosova falë ndërhyrjes së NATO-s u bë e lirë.

Por, sot nuk mund të mos ndalem të theksoj se aktualisht, në platformën e këtij parlamenti, po flet njëri nga dy armiqtë kryesorë të qenies së shqiptarëve që nga themelimi deri më sot, një nga armiqtë më kryesorë të Kosovës, njeriu i njohur botërisht si avokati më i shpifur i padronit të tij, Aleksandër Vuçiç, njeriu që në vend që të bëjë avokatinë e Kosovës, të mbrojë interesat legjitime të saj, kalon nga samiti në samit duke lobuar për Vuçiçin dhe Rusinë e vogël në zemër të Ballkanit, Serbinë.

Edi Rama ka futur thika pas shpine ndaj Kosovës në mënyrë të vazhdueshme. Ai u përpoq të zhbëjë arritjet e saj, përfshirë këtu edhe skenarët për ndarjen e saj me Aleksandër Vuçiç. Për të justifikuar vasalitetin ndaj Vuçiçit, ai kërcënon me luftën e Vuçiçit. Në të gjithë këto qëndrime, ai rezulton të jetë një antishqiptar i rrezikshëm për kombin shqiptar.

Në prag të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sot (27 nentor 2022) në sallën e seancave plenare të Kuvendit u zhvillua mbledhja e parë të përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Lexo me shume: Shqipëri - Kosovë një parlament, Albin Kurti: Të heqim dorë nga ndasitë. Rama: Marrëdhënie të shkëlqyera