Kosovë - Shqipëri me parlament të përbashkët për 110 vjetorin e Pavarësisë
Pas 110 vitesh kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Pavarësinë e vendit deputetët nga Shqipëria e Kosova u pritën për herë të parë të bashkuar në sallën e Kuvendit në Tiranë paraditen e 27 nentorit 2022.
Hyrja e selisë qendrore të parlamentit i ngjante një libri historie të vendit nga shpallja e pavarësisë e deri në anëtarësimin në NATO e negociatat me BE.
Himni i Kosovës dhe ai i Shqipërisë ishin emocionet e para mes parlamentarëve, e po ashtu dhe treguesi i ndarjes së një kombi në dy shtete.
Nga ana e saj kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla e vuri theksin te eliminimi i kufijve shtetërorë.
Lindita Nikolla: "Shqipëria dhe Kosova, si dy entitete politike të shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin europian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë pëër të materializuar vullnetin e shqiptarëve për ti shndërruar kufinjtë shtetërorë midis dy vendeve, por dhe me vendet fqinje në kufinj formalë," tha ajo.
Ndërsa homologu i saj Glauk Konjufca edhe pse nuk foli për Open Ballkan, tërhoqi vëmendjen për rolin e Serbisë.
Glauk Konjufcka: "Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj që është destabilizimi i Kosovës dhe darja faktike e shtetit tonë. Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë, pa zgjedhur mjete, nga diplomacia deri tek financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin, brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do jetë t’i mbrojmë interesat jetike të kombit tonë"

Në emër të deputetëve demokrat foli Enkelejd Alibeaj, ndërsa për aleancën e opozitës shqiptare, Fatmir Mediu, ku u kërkua mbështetja pa kufi e Kosovës.
"Edhe pëse në një mosdakrodësi të plotë me qeverinë aktuale në Tiranë,PD ka votuar dhe mbështetur pa asnjë dilemë çdo nismë që shkon në mbështetje të plotë për Kosovën," tha Alibeaj.

Fatmir Mediu: "Jetojmë në një rajon me konflikte të vjetra, por dhe me të reja. Kryqëzim i interesave gjeopolitike, situata në rajonin e Ballkanit është një nga situatat më problematike sot. Planet e BE-së dhe Amerikës për Kosovën, dialogu për zgjidhjen përfundimtare duhet të na bashkojë si shqiptarë në kuptim, qëndrim, por dhe veprimin tonë të përbashkët"

Në simbol të pavarësisë një grup deputetësh do të udhëtojnë drejt Hagës për të takuar Hashim Thaçin, ndërsa mbledhja e përbashkët e radhës u propozua të jetë në 10 qershor të vitit të ardhshëm në Prizren në kujtim të 145 vjetorit të lidhjes.















Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.