Drejtësi pas 5 vitesh/ Kur familja Rushiti me 8 anëtarë u nxorën me forcë nga vila për llogari të fajdexhinjve
Sekuestrimi i vilës me vlerë 200 mijë euro sot në Pogradec nuk është një histori e panjohur për publikun.
Pesë vite më parë, në 2017, britmat e Behare Rushitit do të pushtonin ekranet e mediave teksa përmbarimi e nxori me forcë familjen nga banesa e saj.
Përmbarimi ekzekutoi një vendim të formës së prerë të Apelit për llogari të Armand Liçaj dhe Bledar Aliaj, të dy nën hetim sot nga policia.
Historia e konfliktit mes palëve kishte nisur vite më parë për një shumë parash të marra me fajde që pala dhënëse pretendonte se nuk i ka marrë të gjitha.
Por asokohe Behare Rushiti dhe bashkëshorti i saj Kastriot Rushiti pretendonin se u kishin kthyer 35 milion lekë të vjetra fajdexhinjve, ndërsa këta të fundit pretendonin se kanë për të marrë 200 mln lekë të vjetra.
Çështja ishte shqyrtuar në dyert e gjykatave për vite me radhë për tu finalizuar me nxjerrjen e 8 anëtarëve të familjes Rushiti, mes tyre fëmijë të mitur, në rrugë mëngjesin e 22 Nëntorit, 2017.
Çifti i bashkëshortëve akuzontr një notere dhe një gjykatës të dorëhequr dhe i larguar në Amerikë.
"Jam në gjyq, dhe sot në orën 11 jam në gjyq është emergjencë kjo. Një tjetër e kam në orën 13:00. Jam në vazhdim të gjyqit. Nuk kemi mbaruar akoma gjyqet. Morëm 45, i bënë 84. 35 milion kam dhënë fajde. Dua rrugëzgjidhje, se e gjallë nuk dal. Ku të shkoj?" deklaronte asokohe Behare Rushiti.
"Kjo histori është lekë me fajde dhe i kanë bërë letra false. Letrat i ka bërë Burbuqe Sala e lidhur me fajdexhintë Armand Liçaj dhe Bledar Aliaj. Lekët mi kanë marrë dhe pronën që po shihni. I kemi shlyer dhe kanë bërë tre kontrata false, një 180 mln, një 84 milion dhe një kontratë 54 milion. Ky është vendimi i Leradinit, ai ka ikur në Amerikë, ish-gjykatësi" pretendonte Kastriot Rushiti.










