Sekuestrimi i banesës me vlerë 200 mijë euro në Pogradec, si ja morën me falsikim pronarit dy fajdexhinjtë

Dalin detaje të reja lidhur me sekuestron preventive të banesës me vlerë 200 mijë euro në Pogradec.

Mësohet se hetimi për rastin ka filluar në vitin 2018. Të dy shtetasit nën hetim A. L., 47 vjeç dhe B. A., 46 vjeç, banues në Pogradec, mësohet se i kanë  dhënë para me fajde një qytetari nga Pogradeci.

Kur ky i fundit ishte në pamundësi për të shlyer shumën e marrë me fajde, dy personat e vënë nën hetim në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar një kontratë, e cila kalonte pronësinë e shtëpisë së borxhliut në emër të tyre.

Nga dokumentat e falsifikuara, si firmat e familjarëve etj, personat kishin arritur që me vendim  të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit të fitonin pronësinë e banesës dhe para 5 vitesh arritën që ti nxjerrin me përmbarues familjarët nga banesa, pra në vitin 2017.

"Këta 2 shtetas janë në hetim, për veprat penale "Falsifikimi i dokumenteve" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se nëpërmjet një kontrate të falsifikuar, kanë përfituar banesën e një shtetasi tjetër, në lagjen nr. 3, Pogradec, banesë me sipërfaqe rreth 300 m² dhe me vlerë rreth 200 000 euro" njoftoi policia.

Vendimi i sekuestros preventive u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë Pogradec, më 18 nentor 2022.

Vijon puna për gjurmimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve të tjera që mund të jenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga shtetasit A. L. dhe B. A.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.