Po shtohen fëmijët hiperaktivë, me mungesë përqendrimi dhe nuk u binden rregullave
Numri i fëmijëve me ADHD, ose hiperaktiv po rritet çdo vit. Psikologët thonë se ky çrregullim shfaqet në vitet e para të jetës dhe pikërisht në momentin kur vendosen përball rregullave. Rastet e dyshuara duhet të trajtohen fillimisht me psikologun, për të bërë dallimin nëse kemi të bëjmë me një fëmijë të shkathët, apo me këtë çrregullim.
Një fëmijë i shkathët dallon nga një fëmijë hiperaktiv, ndaj prindërit duhet të tregojnë kujdes më me sjelljen e tyre.
Psikologia Lorela Garuli thotë se kur fëmijët vendosen përpara rregullave, e shfaqin më shumë problemin në fjalë dhe shenjat e para dallohen kur ata nuk janë të përqëndruar.
“Nëse një fëmijë është i shkathët, i lëvizshëm, ‘nuk lë dy dur bashkë’ dhe kjo i kalon me fillimin e shkollës me të kuptuarin e rregullave që ka atëherë nuk është fjala për ADHD. Ka dhe simptoma të tjera përtej të qenit i lëvizshëm dhe i shkathët. Ka të bëjë me përqendrimin e ulët, faktin që nuk ulet dot të bëjë detyrat, koha e tij e punës është shumë e shkurtër, ka nevojë vazhdimisht të shpërqendrohet, ose vetë mendja e tij funksionon në këtë formë.”
Shkollat janë ambientet e para kur kjo grupmoshë nis të shfaq probleme me shëndetin. Psikologia e shkollës Oriola Heta Varosi, thotë se rastet po shtohen çdo vit.
“Zakonisht shfaqet në fëmijërinë e hershme por bëhet ë e dukshme në momentin që vijnë në shkollë dhe përballen me përgjegjësitë fëmijët. Vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i fëmijëve të cilët janë të prekur nga ky lloj çrregullimi.”
Periudha e adoleshencës më pas është vendimtare për përmirësimin ose jo të shëndetit të tyre.
“Ka raste kur problematika thellohet akoma më shumë me ardhjen e adoleshencës por ndodh dhe e kundërta, kur ata rriten më shumë dhe shkojnë në klasa më të larta të jenë më të qetë dhe më të menaxhueshëm brenda klasës dhe shkollës.”
Por edhe vetë prindërit duhet të jenë të kujdesshme duke mos e i vënë në pah sjelljet negative.
“Duke qenë se janë fëmijë që krijojnë rrëmujë se janë të lëvizshëm prindërit gjithmonë e vënë theksin tek pikat e dobëta i qortojnë dhe ajo që ndodh është që ato e brendësojnë këtë imazh negative dhe fillojnë e mendojnë që nuk janë fëmijë të mirë.”
Hiperaktiviteti mund të shfaqet në vitet e para të jetës për shkak të mënyrës së jetesës, por edhe mund të jetë e trashëguar.

