Goxhaj: Rama kërkon të zëvendësojë Titon me Ballkanin e Hapur, nuk bëhemi dot vëllezër me sllavët

Dritan Goxhaj, njohës i mirë i çështjeve të rajonit, duke komentuar mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë së Veriut ditën e djeshme në Shkup, thotë se Rama po tenton të zëvendësojë Titon.

Për Ora News me gazetarin Sebastian Zonja, ai thotë se Titoja krijoi Jugosllavinë, ndërsa Rama po çon përpara Ballkanin e Hapur.

Goxhaj: Ka disa kohë që Rama do të zëvendësojë Titon, ai kishte ëndërr që të gjithë vendet ballkanike të ishin në dominimin e tij dhe të krijoninn jë shtet të vetëm siç krijoi Jugosllavinë, vetëm Shqipëria mbeti jashtë për shkak të ndërhyrjes së Rusisë së atëhershme. Ndërhyri Stalini se u prish me Titon dhe shpëtuam. Edhe Rama po rigjeneron këtë ëndrrën e Titos dhe po i duket vetja si marshall Tito dhe ka filluar me këtë Ballkanin e Hapur. Po e trajton qeverinë si bashki, bashkitë bëjnë binjakëzim.

Megjithatë ai e sheh të dështuar si nismë.

Goxhaj: Ne po duam të bëhemi bashkë me sllavët, nuk kemi qenë dhe nuk do jemi bashkë me sllavët. Po do Rama të na bëjë. Nuk do ta bëjë dot, është çështje mentaliteti dhe plagësh. Ky bashkim-vëllazërimi që po do të bëjë Rama është absurd. Ne mund të mbetemi miq, por vëllezër nuk mund të bëhemi në asnjë lloj mënyre, për tu bërë vëlla duhet të shkelim mbi gjithë gjakun.

Ish-luftëtar i UÇK thotë se nuk ka situatë të tensionuar në Ballkan duke i parë si show politik ngjarjet në veri të Kosovës që riciklohen kohë pas kohe.

Goxhaj: Nuk ka ndonjë situatë të tensionuar Ballkani. Situatë e tensionuar është kur është jashtë kontrollit. Kemi show të tensionuar por jo situatë të tensionuar. Ballkani që pas përfundimit të luftës në Maqedoninë e Veriut në 2001 nuk ka pasur më situatë të tensionuar. Të gjitha kanë qenë show politik nga palë të ndryshme në rajon për përfitime të ndryshme politike qoftë nga europianët por edhe amerikanët. Në këtë aspekt thuhet do vijë Rusia. Vazhdojmë të jemi me gogolin. E kemi bërë Rusinë gogol. Në 1999, Rusia e kishte rastin më të mirë për të ardhur në Ballkan nëse dëshironte  por nuk e bëri. Nuk ka nevojë. Ka një Serbi që për çështje politike karshi Europës jo Ballkanit.