Plumbi në qafë i ndryshoi jetën, Suela Lala me një histori që frymëzon këdo

Suela Lala ka lindur dhe është rritur në Burrel.  Ajo është ndër ato modele që të frymëzon dhe të thotë që mjafton të ëndërrosh dhe të duash gjëra në jetën tënde dhe gjithçka është e mundur.

Suela Lala: Gjëja që kujtoj është që ti mund të ëndërrosh dhe të kesh ëndërra të mëdha. Njeriu ndërton ëndrra dhe pritshmëri për jetën kudo që është. Kjo gjë më bën të besoj se mund të jesh nga një fshat dhe mund të realizosh ëndërra të mëdha. E bukura jonë është që mund të ëndërrojmë dhe në kohën që jetojmë ëndërrat u bëkan realitet.

Suela thotë se ka mundur të realizohet.

Suela Lala: Unë kam ëndërruar të kem një karrierë, të udhëtoj, të bëj gjëra që më përmbushin mua. Edhe sot emocionohem me faktin që kam mundur të bëj aq shumë gjëra krahasuar me pritshmëritë që kisha 25 vite më parë. Unë kam mundur të realizohem. Njeriu është mrekullia më e madhe e botës dhe për mua njerëzit përbëjnë interesin më të madh.

Ajo mundi t’ia dilte dhe pse rrethanat dhe ajo çfarë i ndodhi në jetë nuk ishin favorizuese. Madje kur të tjerë e kanë dëgjuar realitetin kanë fantazuar pasi nuk ju duke si diçka e vërtetë.

Suela Lala: Kur kam vajtur në Itali për tu kuruar shumë vite më parë kur ju tregoja se kam pasur një plumb në qafë dhe më duhej ta hiqja ata fantazonin lidhur me situatën. Nuk e përceptonin që një vajzë të plagosej në shtëpinë e gjyshërve të saj në një situatë politike të tillë. Vetëm ne që kemi jetuar në këtë vend mund t’ia besojmë njëri tjetrit.

E gjitha ndodhi kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe.

Plumbi në qafë i ndryshoi jetën, Suela Lala me një histori

Suela Lala: Në 1997 në moshën 14 vjeç si rezultat i një plumbi qorr gjërat ndryshuan. U përballa me aftësinë e kufizuar me të qenit në një karrige me rrota. Mund të punosh, të përmbushesh nga ana profesionale dhe të realizosh ato pritshmëri që ke në jetë.

Ajo thotë se e vështira e kësaj është që ti duhet të rishpikësh identitetin tënd.

Suela Lala: Nuk ka rrugëtim të lehtë për askënd, të gjithë kanë rrugëtime të vështira. E vështira e kësaj është që ti duhet të rishpikësh identitetin tënd, veten se si do të jetosh, kjo prek dhe njerëzit rreth teje dhe duhet të kesh mbështetje të madhe.

Në një kohë të vështirë ku informacioni nuk ishte aq i madh, si ka arritur t’ia dalë?

Suela Lala: Me shumë këmbëngulje. Mendoj se forca më e madh së pari është mosha, ti ke një dëshirë për të vazhduar përpara, e dyta kurioziteti. Forca ime më e madhe është që kam pasur dëshirë të mësoj dhe të kultivoj shumë gjëra te vetja.

Mbështetje e madhe kanë qenë prindërit e saj.

Suela Lala: Prindërit e mi që janë dhe mbështetja më e madhe dhe pjesa tjetër e familjes dhe për ta ka qenë një proces të kuptuari se si po duhet të rrisin një fëmijë me aftësi të kufizuar. Jam mirënjohëse që prindërit e mi e kanë marrë këtë rrugëtim me pozitivitet.

“Ju jam mirënjohëse për faktin që kemi rezultuar skuadër fituese ma dhe ba.”, tha ajo.

Çfarë të dhemb më shumë?

Suela Lala: Koha, nuk është e pranueshëm që në fund të 2022 në 2023 të mos ksh aksesueshmëri.  Sot isha e ftuar në një universitet që të jepja leksion dhe nuk munda ta jap pasi nuk ishte i aksesueshëm. Nuk mund t’ja them një europiani se nuk ishin marrë masa që unë të mos mundja por dhe student që duan të mësojnë nuk kanë mundësi ta aksesojnë një institucion të caktuar. Shqipëria është një vend i vështirë. Institucionet nuk kanë përgjegjësinë e duhur për të bërë gjënë e tyre. Nëse ka një gjë që ka ndryshuar në këto vite është mendësia. Prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuar bëjnë të pamundurën që të jenë në të njëjtën sallë me fëmijë të terë.

Ajo bën apel që shteti ta rregullojë aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuara dhe ministria e financave të buxhetojë për ta bërë këtë gjë.

“Ne vazhdojmë të vëmë theksin te aksesueshmëria në mjedis pa infrastrukturë nuk mund të kesh përfshirje të personave me aftësi të kufizuar.”, tha ajo.