Kapet një prej autorëve që vodhën dyqanin e telefonave në Vlorë
Policia e Vlorës ka arrestuar një nga autorët e vjedhjes së një dyqani telefonash më 7 nëntor, në Vlorë, ndërsa është proceduar penalisht një tjetër për moskallëzim krimi.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Electronics", u arrestua shtetasi Bledar Lloji, 36 vjeç, për veprën penale "Vjedhja", kryer në bashkëpunim dhe u procedua penalisht shtetasi F. A., 36 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
"Shtetasi B. Ll., në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, dyshohet se më datë 07.11.2022, ka vjedhur disa pajisje elektronike, në një dyqan, në lagjen “Pavarësia 3”, si dhe më datë 03.11.2022 ka tentuar të vjedhë në një dyqan tjetër me pajisje elektronike, në lagjen “Lef Sallata”, Vlorë," njoftoi policia.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet për këto raste i kaluan Prokurorisë Sarandë dhe Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.
