S`kanë lekë as për ilaçe, medikamentet të shtrenjta, të sëmurët nuk munden t`i blejnë
Agron Pepaj nga fshati Këmishtaj i Lushnjes këtë muaj nuk ka mundur të blejë dy prej medikamenteve që i duhen.
Shkak është pamundësia financiare.
Në farmaci thotë se do të shkojë pasi të marrë pensionin.
“I kam lënë se nuk arrija t’i merrja. Presim pensionin.”
Prej majit të këtij viti 69 vjeçari është diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë.
Medikamentet për trajtimin e sëmundjes i kushtojnë të paktën 15 mijë lekë në muaj, pa llogaritur analizat e shumta që duhet të kryejë.
Thotë se ilaçet më të shtrenjta nuk janë të rimbursueshme nga shteti.
“110 mijë lekë vetëm një ilaç, i parimbursueshëm.”
Të ardhurat nga pensioni i të dyve, burrë e grua shkojnë deri në 25 mijë lekë.
Nuk mjaftojnë as për ushqime e as për ilaçe.
“Është tepër e vështirë, kam një pension shumë të ulët, 130 mijë.”
Gjithë shpenzimeve u shtohen edhe vajtje-ardhjet në spital.
Agronit prej 5 javësh i duhet të vij çdo ditë nga Lushnja në Tiranë për të kryer seancat e kimioterapisë.
“Na ndihmojnë fëmijët se ne kemi mbaruar.”
Në kushtet kur të ardhurat janë të ulta e ndihma e shtetit e papërfillshme burrë e grua i kanë sytë nga fëmijët dhe çdo kush tjetër që mundet t`ua lehtësojë hallet.
