Zbulohen emrat e çifit që mashtronte të huajt në bursat online. SPAK 1 vit hetime për 2 vetë të ndaluar
Operacioni i fundit kundër vjedhjes me anë të mashtrimit nga Call Centerat ka vënë në pranga vetëm dy të rinj në Tiranë, ndërsa tre të dyshuar të tjerë i kanë shpëtuar arrestimit. Pavarësisht prezantimit me bujë të rezultateve të aksionit, autoritetet shqiptare duket se kanë qenë vetëm ekzekutuese të masave të vendosura nga prokuroria dhe gjykata spanjolle.
Oar News zbardh emrat e dy personave të vetëm të arrestuar nga SPAK gjatë operacionit për mashtrim me bursat online.
Ata janë Irisa Puca, 31 vjeçe dhe i dashuri i saj Adrian Korriku, 33 vjeç, banues në zonën e “Komunës së Parisit”.
Hetimi i nisur prej 1 viti prodhoi vetëm dy persona të arrestuar dhe 3 të tjerë të shpallur në kërkim.
SPAK në këtë hetim ka qenë në rolin e ekzekutimit të urdhër-arresteve të prokurorisë spanjolle.
Dy nga 4 personat e arrestuar nuk kanë lidhje me procedimin 1 vjeçar të nisur në 2021 nga SPAK.
Ora News mëson nga burime të sigurta se Bernaldo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli të dy nga qyteti i Vlorës, janë arrestuar për qëllime ekstradimi.
Saraçaj dhe Pysqyli, janë shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë spanjolle, si të dyshuar në “Pjesëmarje në Organizatë Kriminale” dhe “Mashtrime në rrethana rënduese” të kryera në vazhdimësi.
Ndaj dy të rinjve nga Vlora në 3 nëntor 2021, Gjykata e Shkallës së Parë, Sue De Urgell në Spanjë, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, si të implikuar në dy veprat penale të mësipërme.
Sipas dosjes hetimore, Saraçaj është pjesë e një grupi personazh që menaxhojnë disa pika zinxhir të Call-Centerave në Tiranë dhe jo vetëm.
Skema e mashtrimit, që kanë përdorur të ndaluarit tashmë janë të njohura për policinë dhe prokurorinë.
Subjekti apo viktima e mashtrimit, regjistrohet fillimisht në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, e-mail dhe numër telefoni.
Operatorët e kontaktojnë “viktimën” e tyre, menjëherë në telefon dhe krijojnë një bazë besimi me klientin e pretenduar.
Fillimisht klienti, tundohet të investojë në sasi të vogla, me premtimin se brokeri-ndërmjetësi, i pretenduar i faqes se investimeve do të realizojë një fitim të madh me investigimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara.
Ky premtim i bazuar në një platformë fiktive, e cila ka për qëllim mashtrimin e viktimave nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për përfitime të padrejta ekonomike, është i rremë.
Klienti nuk mund të tërheqë paratë që ka investuar, por joshet të shtojë shumën deri në momentin kur mashtruesi humbet gjurmët dhe zhduket, duke tërhequr më pas paratë përmes një mekanizmi të sofistikuar online.
Flitet për mashtrime që shkojnë në miliona e miliona euro.
"Shkalla e hetimeve në raste të tilla është e paprecedentë deri më tani. Qindra mijëra investitorë në të gjithë botën kanë rënë viktima të mashtrimit që të paktën që nga viti 2016, sipas hetimeve. Dëmi i shkaktuar llogaritet në 50 milionë euro në çdo tre muaj. Hetimet për mashtrimin kibernetik filluan në vitin 2018, ku aktualisht shtatë vende kanë hapur çështje gjyqësore kundër këtij grupi kriminal" thuhet në deklaratën e Eurojust.
