Incineratorët/ Alqi Bllako në një qeli Lefter Kokën, ekspertët: Ish-ministri në gjendje të rëndë, i rrezikohet jeta

Një ditë pasi SPAK dërgoi në gjyq dosjen e incineratorit të Elbasanit, Gjykata e Posaçme dëgjoi ekspertët mjekoligjorë në lidhje me gjendjen e ish-ministrit Lefter Koka, i cili ka kërkuar lirim nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore. Togat e zeza do të shprehen javën që vjen në lidhje me kërkesën, ndërkohë që prokuroria ishte kundër me argumentin se i pandehuri mund të mjekohet në qeli.

Edhe pse SPAK dërgoi në gjyq dosjen e incineratorit të Elbasanit, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka vijon betejën për të fituar lirinë.

Pas kërkesës së avokatëve, për ndryshim të masave të sigurisë me argumentin se ish-Ministri është në gjëndje të rëndë shëndetësore, gjykata dëgjoi të premten edhe mendimin e ekspertëve mjekoligjorë, të cilët përcaktuan se ish-Ministri ka probleme të rënda me zemrën dhe veshkat dhe në qeli i rrezikohet jeta.

Pas kësaj përgjigje gjykata u tërhoq për tu shprehur me vendim ne lidhje me kërkesën e mbrojtjes, ndonëse prokuroria nuk ishte dakort për ndryshim mase me argumentin se ish-Ministri mund të kurohet edhe në kushtet e burgut.

Seanca e radhës u la për javën tjetër, ku gjyqtari Erjon Bani do të shprehet me vendim në lidhje këtë kërkesë.

Koka ka ankimuar masën e vendosur për incineratorin e Ebasanit, pasi për inceneratorin e Fierit gjyqtarja Irena Gjoka e rrezoi kërkesën e tij.

Një ditë më parë prokuroria ka përfunduar hetimet për incineratorin Elbasanit dhe u ka komunikuar të pandehurve dhe avokatëve të tyre akuzat.

Në hetim nga SPAK, vijojnë të jenë dosjet e ndara për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës.

Lefter Koka ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ku është në një qeli me ish-sekretarin e Përgjithshëm Alqi Bllako, i akuzuar për incineratorin e Fierit.

Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, u rikthye në qeli nga Gjykata e Posaçme e Apelit 34 ditë pasi shkalla e parë i ndryshoi masën e sigurisë në "arrest shtëpie".