Gjykata e Posaçme e Apelit rikthen në burg Alqi Bllakon, i vihen prangat në sallë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të rikthejë në qeli ish-deputetin e Partisë Socialiste Alqi Bllako të akuzuar për aferën e incineratorëve.

Bllako nga kjo e mërkurë, rreth 1 muaj pasi ndryshoi masa e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie, do të qëndrojë në qeli, pas ankimimit të bërë nga SPAK me akuzat për korrupsion me incineratorin e Fierit.

"Kërkesa e Bllakos dhe avokatit të tij për arsye të familjes, mosha e vogël e fëmijëve të tij, përbënin një nga arsyet se përse ai kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë dhe të gjykohet ën një masë tjetër, siç ishte ajo e arrestit në shtëpi.

Sipas avokatit ai nuk do të largohet nga vendi dhe nuk përbënte rrezik për prishjen e provave. Por prokurorët e Gjykatës së Posaçme kërkuan me forcë që Bllako të qëndrojë në burg, siç jane dhe të pandehurit e tjerë, përfshirë dhe ish-ministrin Lefter Koka.

Bllako u arrestua menjëherë në sallën e gjyqit, siç ndodhi dhe me rastin e ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri," njoftoi gazetarja e Ora News Keti Banushi.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupin gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më datë 09.11.2022 shpalli vendimin  lidhur me çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022 regjistrimi, në ngarkim të personit nën hetim A.B., mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 362 datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit A.B. me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

2. Vazhdimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg”, të caktuar ndaj të hetuarit A.B. me vendimin nr. 26, datë 31.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Alqi Bllako u arrestua më 01 prill 2022 për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit me vendim të Gjykatës së Posaçme pas kërkesës së bërë nga prokuroria.

Ai akuzohet për falsifikim dokumentacioni në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar, për ndërtimin e inceneratorit duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, duke rritur vlerën e shpronësimit.

Po ashtu ai akuzohet se ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarë, të cilat kanë shkuar në formën e pagesave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar pranë inceneratorit të Tiranës.

Po kështu Bllako akuzohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.