Një komunist në krye të Akademisë së Shkencave, 50 vjetori i kongresit të Drejtshkrimit festohet me flamurin e NATO-s

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës përkujtuan këtë të enjte 50 vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit i cili mundësoi dhe standartizimin e gjuhës shqipe. Ndërsa kreu i akademisë Skënder Gjinushi foli për të ardhmen ku sipas tij gjuha shqipe do të kthehet në gjuhën e integrimit të shqiptarëve, kryeministri Rama foli për mungesë të personaliteteve të gjuhës shqipe sot. Në konferencë Rama nuk e fshehu nervozizmin e tij për prezencën e flamurit të NATO-s në sallë. Ndërsa shkëmbeu batutë me Skënder Gjinushin.

Në konferencën e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjjinushi, vlerësoi vendimmarrjen e 50 viteve më parë si një moment thelbësor për identitetin kombëtar.

Skënder Gjinushi: “Së bashku me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kemi punuar për t’i dhënë kësaj ngjarjeve vëmendjen e duhur. Mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në Kongresin e gjuhës shqipe 50 vite më parë. Gjuha është baza e kombit shqiptar. Gjuha është së pari e lidhur me identitetin. Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Europian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb. Në aktet e Bashkimit Europian dhe në sallat e vendimmarrjes europiane për ta do të ketë një sportel gjuhësor, një kabinë të vetme përkthimi, dhe në to do të përdoret shqipja e njësuar letrare, siç po kërkohet edhe institucionalisht. Gjuha e bashkimit do të kthehet në gjuhë të integrimit”

Ndërsa mori shkas nga ky fjalim i kreut të akademisë,  kryeministri Rama shfrytëzoi edhe praninë e flamurit të NATO-s në sallë, ndërsa e cilësoi si një gjest për të justifikuar përndjekjen që i është bërë Akademisë si institucion komunist. E në këtë kontekst Rama lajmëroi se rishikimi i drejtshkrimit do të udhëhiqet sërish nga një komunist, duke nënkuptuar Skënder Gjinushin.

Edi Rama: “ I vetmi flamur që nuk kuptova pse është është ai i NATO-s. Ua thashë edhe organizatorëve se deri tek flamuri i BE e kuptoj po flamuri i NATO-s ça do atje. Se shyqyr zotit Akademia ka shpëtuar edhe nga ankthi i madh i luftimit të komunizmit mbas vdekjes së komunizmit. Më në fund akademia e shkencave ka çelur siparin e rishkrimit të fjalorit. U desht një komunist në krye të Akademisë së Shkencave të rifillonte punën me themel. ”

Në fjalën e tij Rama e cilësoi aktin e 50 vite më pare si mbase më të rëndësishmin për kombin pas shpalljes së pavarësisë.

Edi Rama: "Në asnjë nga këto momente nuk ka pasur nxitim dhe në asnjë fazë midis këtyre momenteve nuk  është parë nxitimi racional i kësaj faze të fundit, të këtyre 3 dekadave për të shkuar me çdo kusht në qorrsokak duke guxuar të tentohen shtrembërime të frikshme"

Një tjetër detaj që u vu re në këtë aktivitet ishte fakti se Presidentit të Rëepublikës, institucionit që simbolizon politikisht unitetin kombëtar, iu dha fjala në fund.

Bajram Begaj: Ky kongres ishte pjesë e një rrugëtimi plot sfida të kombit tonë prej Kongresit të Manastirit (1908), i cili hodhi themelet për unifikimin e alfabetit, duke mënjanuar alfabetet e tjera, Kongresit të Elbasanit (1909), që shtroi rrugën e zbatimit të vendimeve të Kongresit të Manastirit me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit (1909) për arsimim të gjerë publik, si dhe vendimeve historike të Komisisë Letrare të Shkodrës, e cila për herë të parë hodhi hapa të rëndësishëm drejt një politike gjuhësore unifikuese në shërbim të gjuhës së njësuar, si kërkesë që përligjte dhe e bënte funksional unitetin politik të kombit.

Nuk munguan as batutat e Ramës: Unë nuk i vë faj Skënder Gjinushit se ka qenë komunist, por pse na la Berishen"

Këtë vit shënohet 50 vjetori i standardizimit të gjuhës shqipe, ku nga datat 20 deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë i zhvilloi punimet Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i cili shënoi dhe standartizimin e Gjuhës shqipe. Në të këtë përvjetor, institucionet albanologjike në Shkup, Tiranë e Prishtinë po zhvillojnë një sërë aktivitetesh.