Lindita Nikolla 13 orë në drejtimin e seancës për pr/buxhetin 2023, s'ka kush ta zëvendësojë
Do të rifillojë sot seanca e posaçme e Kuvendit për diskutimin e pr/buxhetit dhe paketës fiskale të vitit 2023.
Seanca e djeshme zgjati gati 13 orë dhe është drejtuar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla pa ndërprerje në mungesë të dy nënkryetarve Ermonela Felaj dhe Agron Gjekmarkaj.
Ermonela Felaj udhëtoi drejt SHBA-së si vëzhguese e procesit zgjedhor së bashku me Damian Gjiknurin dhe Fatmir Mediun. Edhe Gjekmarkaj ndodhej me vizitë jashtë vendit.
Seanca e djeshme e cila u mbyll në orën 23:00 për të rifillluar mëngjesin e sotëm dhe që kishte në rend të ditës debatin mbi buxhetin e shtetit u karakterizua për disa orë nga një gjuhë jo etike dhe jo parlamentare.
Kjo ngjalli dhe reagime. Instituti I Studimeve Politike shprehu keqardhjen që Kuvendi bëhet model denigrimi dhe fyerjesh ndaj mendimeve “të tjetrit”, që refuzon konceptin e mendimit ndryshe dhe në që në vend të funksionit kushtetues parlamentar për përfaqësim cilësor dhe kontroll kushtetues të pushtetit ekzekutiv, shpesh devijon në një rol dukshëm demotivues dhe të papranueshëm për një vend që aspiron anëtarësimin në BE
Fjalori i perdorur
Kriminel”, “gënjeshtar”, “skizofren”, “i korruptuar”, “vjedhës”, “kreu i mafias”, “tradhetar”, “bedelë”, “pusho”, “gjel deti Peqini’, “pa atdhe”, “pa din e iman”, “të pafe”, “të shitur”, “të pafytyrë”, “po të kishit fytyrë”, “Si s’ju vjen turp”, “Ju kanë tërhequr prej hundësh”, “jeni të mallkuar” , “Ju jeni ca të mbaruar”, “Je aksident”, “baltosës”, “bartësit e mallkimit që nga 1912”, “nuk kuptoni pse jeni këtu”, “mblidheshit si dele dhe blegërinit”, “gojën e keni të shkëputur nga truri”, “kastravecë do dilni nga kjo histori”, “s’keni flamur”, “Jeni turpi i tyre çdo ditë që hapni gojën”, “s’lini dy gurë bashkë”, “Ju kanë futur një dru që s’e merrni veten më”, “S’dilni dot nga psikoza e bishtit”, “Gjykata, sportel për të rritur pazarin”, “Je si miza në të ndenjurat e kalit”, “Mos ngatërro jashtëdaljet e organizmit”, “Foltore politike e katundit mizerabël”, “Katundarët më mizerabël mes nesh”, “S’keni histori”, “S’keni dinjitet”, “i bëni hije kot kësaj toke”, “kastravecë”, “me baltë”, “turpëroni vendin”, “poshtëroni të gjallë e të vdekur”, “personalizim i tradhtarëve”, "gjel me shtyp", "pulë të shtypesh".....
Reagimi i Institutitit te Studimeve Politike
"Nuk janë sharje të dehurish në rrugë, as fjalor individësh të rastësishëm, - fatkeqësisht janë epitete të marra nga fjalimet parlamentare në seancën e datës 9.11.2022, e cila kishte në rend dite debatin mbi buxhetin e shtetit 2023 dhe ishte seanca e parë pas debateve kritike në parlamentin britanik për emigrimet masive nga Shqipëria! Në çdo parlament serioz termat kryesorë do të kishin qenë debati për taksa, tatime, investime, shkencë, infrastrukturë, energji, arsim, integrim, reforma, antikorrupsion, etj, terma që dje në përgjithësi nuk u dëgjuan!
Kuvendi ka Kod Etike, ka Rregullore, ka mbështetur parimet dhe standardet e “open parliament” dhe të sjelljes parlamentare, - por mjaftojnë detaje të tilla për të kuptuar se të gjitha këto angazhime nuk kanë vlerë përballë mbipushtetit personal, arrogancës, ligjërimit degradues, mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, - tregues të nivelit kritik të politikës dhe e distancës së thellë midis pritshmërive qytetare & nevojave të vendit me (pa)aftësinë e klasës politike për t’i jetësuar ato.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh keqardhjen që Kuvendi nuk arrin jo vetëm të aplikojë standardet etike të komunikimit, por i promovon ato përmes investimit të figurave kryesore politike dhe duartrokitjeve të grupeve parlamentare mbështetëse. Keqardhje që në këtë mënyrë Kuvendi bëhet model denigrimi dhe fyerjesh ndaj mendimeve “të tjetrit”, që refuzon konceptin e mendimit ndryshe dhe në që në vend të funksionit kushtetues parlamentar për përfaqësim cilësor dhe kontroll kushtetues të pushtetit ekzekutiv, shpesh devijon në një rol dukshëm demotivues dhe të papranueshëm për një vend që aspiron anëtarësimin në BE"
