Propozimet e PL për pr/buxhetin 2023: 100 euro në muaj për çdo student, rritje të pagave të pedagogëve dhe mësuesve
Partia e Lirisë zhvilloi sot një diskutim me të rinjtë për projektbuxhetin për arsimin, ku morën pjesë nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Floida Kërpaçi, deputetja Erisa Xhixho, anëtaret e kryesisë Miranda Rira, Nora Malaj, Kejdi Mehmetaj dhe Bruna Paskali.
Në këtë takim, Partia e Lirisë njohur të rinjtë me amendamentet e propozuara prej saj për projektbuxhetin e vitit 2023 për arsimin.
1 - Do të kërkojmë mbështetje financiare për studentët, 100 euro në muaj për të përballuar krizën e çmimeve dhe kostove studentore, për t’i barazuar me bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.
2 - Do të kërkojmë mbështetje për kërkimin shkencor, që të shkojë të paktën në 0,3% e PPB siç kanë kërkuar edhe pedagogët.
3 - Do të kërkojmë rritjen e pagave të pedagogeve 50% brenda dy viteve, sipas kërkesave të Sindikatës Kombëtare të Pedagogëve.
4 - Do të kërkojmë rritjen e pagave të mësuesve duke filluar nga 1 janari për të përballuar rritjen e çmimeve dhe inflacionin e pritshëm.
5 – Do të kërkojmë pajisjen me tekste të reja shkollore falas, çdo vit, për nxënësit nga klasa I deri në klasën e IX.
