Shapka e rroba me gjak, provat në banesën e vëllezërve Miri të arrestuar për vrasjen e Indrit Ndoj
Disa rroba me gjak të gjetura në banesën e vëllezërve Miri janë prova kryesore me të cilën policia i fajëson vëllezërit për vrasjen e Indrit Ndojit në Fushë Krujë. Saimir Miri ka pranuar se rrobat i përkasin atij por ka paraqitur si alibi faktin se rrobat janë përgjakut kur kishte therrur bagëti. Ky pretendim pritet të verifikohet nga analiza e ADN-së.
Zbulimi i tri provave në banesën e dy vëllezërve Miri në Fushë-Krujë, ka mjaftuar për të ngritur dyshime të forta se ata mund të jenë autorë të vrasjes me kaçavidë, të Indrit Ndojit.
“Ora News” mëson se një çorape dhe një palë tuta me njolla gjaku të gjetura në shtëpinë e vëllezërve Miri, kanë shërbyer si indicie për të krijuar dyshime të forta se njëri nga vellezërit, Saimir Miri, mund të jetë autori i krimit.
Saimir Miri, gjatë marrje në pyetje, ka pranuar se rrobat përdoreshin prej tij por ka shtuar se njollat e gjakut i përkisnin një kafshte të shtëpisë, të cilën ai e kishte therur disa kohë më parë.
Pavarësisht këtij pretendimi, policia dhe prokuroria, kanë kërkuar arrestimin e Saimir Mirit, deri në një afat 60 ditor. Gjatë kësaj kohe pritet të bëhet analizimi i njollave të gjakut, nëse i përkasin viktimës Indrit Ndoj.
Nga ana tjetër prokuroria ka sekuestruar dhe një shapkë, të gjetur 5 metra larg vendit ku ishte hedhur trupi të viktimës, Indrit Ndoj. Kjo shapkë është është bërë shkak për të akuzuar dhe dyshuar si autor të vrasjes, vëllain tjetër, Landi Miri.
Njëra nga shapkat, është gjendur në banesën e tij, ndërsa tjetra vetëm 5 metra larg trupit të viktimës. Gjatë marrjes në pyetje, Landi Miri, ka pretenduar se nuk ishte në gjëndje ta shpjegonte faktin se pse një nga shapkat e tij, ndodhej pikërisht në vendin, ku u gjend i pajetë Indrit Ndoj.
Landi Miri, ka ngritur një alibi, duke u shpjeguar se ndonjë nga qentë e fshatit, mund t’ja ketë marë shapkën nga shtëpia dhe e ka çuar pikërisht në vendin, ku është gjëndur më pas nga policia.
Por burimet për “Ora Nevvs” u shprehën se banesa e vëllezërve Miri dhe vendi ku është gjëndur i pajetë Indrit Ndoj, ndodhen në një distancë rreth 300 metra. Aktualisht hetimet për vrasjen e Indrit Ndojit, janë përqëndruar ndaj dy vëllezërve, të cilët pas një vendimi të gjykatës së Krujës, janë lënë në masën e sigurisë arrest në “burg me afat” 60 ditor.
Trupi i të riut u gjet i pajetë mëngjesin e 21 Tetorit nga familjarët, në një kanal. Pas k’qyrjes u konstatua fakti se plagët ishin shkaktuar nga goditje me kaçavidë.
Viktima Indrit Ndoj, rezultonte i arrestuar në shtator të 2021-it, për trafik të emigrantëve të paligjshëm.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
