Universiteti i Shkodrës miraton rritjen e pagës 8 % për pedagogët e "Luigj Gurakuqit"

Senati akademik i universitetit “Luigj Gurakuqi” miratoi sot rritjen e pagës 8 % për stafin akademik të Universitetit, mëson Ora News.

"Jemi të kënaqur nga miratimi i pikave të kërkuara. Kërkojmë të plotësohen pikat e tjera dhe do vijojmë protestën nëpër rrugë të tjera” tha Kryetari i Sindikatës, Petër Saraçi.

Sindikata e Arsimit të Lartë thotë se ky 8 % duhet që të financojnë kërkimin shkencor, shërbimin ndaj studentëve.

“Ky 8% është inekzistent dhe është në disfavor të zhvillimit të Universiteteve”  tha Aleksandër Kovaçi në një prononcim për median paraditen e sotme.

Nga korpusi i Universitetit Politeknik të Tiranës, Kovaçi lajmëroi dhe vijimsinë e aksionit të tyre.

“Pezullojmë përkohësisht bojkotin e procesit mësimor për të përmbushur detyrën tonë, ndërkohë që qëndrojnë në fuqi të gjitha mundësitë e grevës dhe protestave periodike.

Një opsion është edhe bojkoti i sezoneve të provimeve.

“Po studiojmë mbështetjen totale kombëtare si variant të mundshëm, nëse qeveria nuk do të plotësojë kushtet tona. Do të ketë bojkot dhe greva periodike” tha Kovaçi.

Ky është universiteti i dytë që miraton rritjen me 8 % të pagës së pedagogëve. Së bashku me 7% e miratuar nga qeveria, paga e pedagogëve rritet me 15 %.