Durrës/ 51 viktima nga tërmeti i 2019, asnjë në burg. Marrin pafajësi ish zyrtarët e lartë lokalë e biznesmeni
Asnjë zyrtar nuk do të vuajë burg për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Durrës. Në prag të përvjetorit të tretë të tragjedisë natyrore, togat e zeza u kanë dhënë pafajësi ish zyrtarëve të lartë lokalë dhe një biznesmeni.
Në prag të përvjetorit të tretë të tërmetit shkatërrimtar të 26 Nëntorit 2019, Gjykata e Durrësit u ka dhënë pafajsi ish zyrtarëve dhe biznesmeneve që u vunë në pranga për abuzime që krijuan pasojat të rënda!
Ish-drejtori i ALUIZNI-t në Durrës, Flamur Gjuzi, është shpallur i pafajshëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës në përfundim të procesit në Shkallën e parë të gjyqsorit
Pas gati dy viteve process, togat e zeza kanë liruar për nga përgjegjesia ligjore edhe ish drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në varësi të Bashkisë Durrës, Artur Çela, dhe Nevjana Isufin.
Pafajsi është vendimi i gjykatës së Durrësit edhe për Artur Terziu, ishte pronar i lokalit Barons, i ndërtuar në katin e parë të pallatit që u shemb ditën e tërmetit dhe ku mbetën të vdekur dy banorë të tij.
Ky i fundit sipas dosjes së prokurorisë kishte bërë ndërhyrje në strukturën e pallatit dhe bazamentin mbajtës me qëllim përfitimin e hapësirave, ndërsa në taracën e objektit kishte vendosur depozita të mëdha!
Për abuzimet që zbuloi tërmeti me lejet dhe ndërtimet në Durrës, Gjykata ka gjetur fajtorë tre ish zyrtarë të nivelit të dytë.
Skerdi Bello ish-punonjës i ALUIZNI-t, u dënua me shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare së bashku me Alfred Qetka, ndërsa Aldo Dakovelli u dënua me punë në shërbim të komunitetit.
Atyre i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Tërmeti i 26 nëntorit, me epiqendër në Durrës shkatërroi disa mijëra objekte në të gjithë vendin, duke lënë pas mijëra të plagosur dhe 51 viktima!
Prokuroria e Durrësit fillimisht vuri 17 persona nën akuzë, ndërsa dosja tashmë përfundoi pa asnjë person në burg si fajtor!
Cilësia e dobët e materialeve, shkelja e standardeve dhe ndërtimet ose shtesat pa leje sipas hetimit ishin shkaku që u mori jetën 23 banorëve të Durrësit në 7 objekte të shembura
