Belind Këlliçi padit dy efektivë policie: Më dhunuan gjatë shembjes së teatrit

Belind Këlliçi, kandidati i Partisë demokratike për Primaret në Tiranë, është paraqitur sot në ambjentet e Gjykatës Penale, pasi ka paditur për dhunë gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar dy efektivë policie.

Në Gjykatë ai ka mbërritur bashkë me avokatin e tij.

"Jo vetëm unë, por qytetarë të thjeshtë, artistë e të rinj janë marrë forcërisht dhe përdhunshëm nga policia e shtetit të drejtuar atëherë nga Sandër Lleshaj. Policë pa numra identifikimi, pa simbole, pa emër, që nuk dihej se çfarë ishin.

Jemi dhunuar dhe jemi dërguar nëpër komisariate. Unë personalisht jam marrë atë natë dhunshëm jam dërguar në Drejtorinë e Tiranës dhe më pas në Komisatriatin nr 6, në Kombinat për shkak se po bëja detyrën time si qytetar i Tiranës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit, të Teatrit Kombëtar.

Në datë 18 kam shkuar në Prokurorinë e Tiranës, ku kam depozituar një kallëzim ndaj forcave të Policisë së Shtetit për veprime arbitrare dhe kam kryer gjithashtu analizat mjekoligjore.

Ekperti mjekoligjor ka konstatuar dëme fizike ndaj personit tim. I kam dhënë fjalën edhe artistëve, qytetarëve, të rinjve që kanë qenë me mua, që nuk mundën ta bënin kallëzimin se unë kësaj çështjeje do ti shkoj deri në fund.

Sot dy vite e gjashtë muaj pas asaj mbrëmjeje, paraqitem në Gjykatën Penale të Tiranës për shkak se pas veprimeve të Prokurorisë mesa duket janë gjetur policët që më kanë marrë dhunshëm dhe do të shkojmë në gjyq për të vërtetuar akuzat e mija të ngritura ndaj tyre.

Emrat kanë dalë gjatë procesit hetimor, por për efekt sekreti hetimor nuk dua ti bëj publikë. Nëse janë ata policë që më kanë dhunuar dhe është vërtetuar gjatë hetimit do të mbajnë përgjegjësi nga heqja e uniformës deri në 7 vite burg. " tha ai.