Invalidët e punës në pamundësi për të përballuar jetesën, nuk marrin ndihmë nga shteti
Puna prej më shumë se 15 vitesh në Kombinatin Tekstil i ka dëmtuar rëndë duart Qamile Dremijës.
57-vjeçarja prej vitit 2004 nuk është e aftë për pune.
Si invalid pune merr nga shteti një shumë prej 12 mijë lekësh. Me to e ka të pamundur të përballojë jetesën.
Paga e paaftësisë nuk i mjafton as për ushqimet bazë ndaj është e detyruar që në dyqane e farmaci të shkruaj emrin në listën e borxheve.
Pavarësisht vështirësive nuk ka përfituar asnjëherë ndihmë nga shteti. Madje jeton në një banesë të dëmtuar nga tërmeti i tre viteve më parë.
Me 12 mijë lekë që merr çdo muaj nuk ka mundur të paguajë ujin dhe energjinë elektrike.
Shuma e prapambetur e faturave të energjisë shkon në rreth 15 mijë lekë dhe rrezikon që dimrin ta kalojë në errësirë e pa ngrohje.
Nga shtetit kërkon që ajo, por edhe invalidët e tjerë të punës të rimbursohen për energjinë elektrike.
Në Shqipëri sipas të dhënave rezultojnë të jenë mbi 70 mijë invalid pune.
Në 14 tetor disa prej tyre protestuan para Ministrisë së Financave duke paraqitur tetë kërkesa dhe duke deklaruar se rritja e çmimeve ua ka vështirësuar jetesën.
Pagesa e paaftësisë në Shqipëri për invalidët e plotë shkon deri në 17 mijë lekë ndërsa për invalidët e pjesshëm 9 mijë e 500 lekë.
Abdulla Omuri, Presidenti i Shoqatës së Invalidëve të Punës thotë se kjo shumë është e pamjaftueshme.
Ai thotë se për një jetesë normale duhen të paktën 39 mijë lekë në muaj.
Rritja e fundit e pagës së paaftësisë ka qenë në vitin 2008. Nga ky vit ka pasur vetëm indeksim, por që sipas kryetarit të shoqatës ka qenë shumë më e ulët se inflacioni.
Krahasuar me rajonin Shqipëria edhe në këtë drejtim mbetet shumë pas.
Në Kosovë një person që ka statusin invalid pune i plotë merr nga shtetit rreth 270 euro.
Për plotësimin e kërkesave i kanë lënë afat qeverisë deri në 20 nëntor në të kundërt nëse shqetësimet e tyre nuk marrin zgjidhje paralajmërojnë protesta të mëdha.

