Dita e "Shkopit të bardhë", të verbërit: Na kanë lënë jashtë jetës sociale
Në ditën boterore të shkopit të bardhë, të verbërit ngritën zërin për mungesë vëmendje nga qeveria. Ata thonë se nuk është i mjaftueshëm pensioni që marrin, dhe se infrastuktura në qytete e kryesisht në Tiranë nuk është e përshtatshem për ta duke u vështirësuar lëvizjen dhe përmbushjen e nevojave jetësore.
Fëllënxa Kamberi thotë se bashkëshorti u bë syri dhe krahu i saj mbështetës pasi problemin me shikimin e ka të lindur dhe askush veҫ familjes nuk i ka qëndruar pranë.
“Bashkëshortin e falenderoj, është shumë shumë i mirë. Mos të kem atë, nuk jam mirë fare,” tha ajo.
Ajo thotë se nuk mund të përballojë jetesën me 130 mijë lekë të vjetra që merr nga pensioni, ndaj i shoqi detyrohet ta lërë në dorë të fëmijëve e të punojë
“Me thënë të drejtën, vetëm drita e ujë e ilaҫet e mia, asgjë tjetër më shumë. Për të jetuar, do të mundohet bashkëshorti që të nxjerrë 5 lekë në ditë. Nuk kemi se ҫfarë të bëjmë,” tha ajo.
Të vështirë e ka jetesën edhe Besim Gjici nga Kuksi për të cilin pensioni nuk është i mjaftueshëm.
“S’kemi të ardhura të tjera. Vetëm pensionin. NUk ka kushte për ne invalidët,” tha ai.
Në ditët botëore të shkopit të bardhë, shoqatat e të verbërve mashuan nga pallati i kongreseve deri tek bashkia e Tiranës për të treguar vështirësitë me të cilat hasen cdo ditë në për të lëvizur në qytet.
Në shenjë simbolike, një ndalesë e bënë edhe përballë kryeministrisë.
Kreu i shoqatës së të verbërve Arjan Hysa kërkon nga qeveria tu plotësohet e drejta për integrim në jetën sociale.
“Duke krijuar mundësi dhe efekte financiare për shërbime ndaj këtij komuniteti, nga krijimi i një infrastrukture të përshtatshme, për të pasur një lëvizje autonome. Për të pasur mundësi për tu arsimuar, punësuar dhe integruar në shoqëri,” tha ai.
Marshime paqësore për ditën e shkopit të bardhë u zhvilluan edhe në Korҫë, ku të verbrit kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet.
Rreth 13 500 persona të verbër në të gjithë Shqipërinë prej vitesh ankohen se janë të harruar nga shteti.