"Fukarallik e papunësi në Pogradec", 4300 familje trajtohen me ndihmë ekonomike

Përtej pamjes së bukur buzë liqenit, në Pogradec ka varfëri.

Mbi 4 mijë e 300 familje janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike me të ardhura nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj.

"Afërsisht rreth 7% e pagës minimale që është një shumë mjaft e vogël me të cilën njerëzit nuk mbulojnë dot as nevojat e tyre të domosdoshme," tha eksperti.

Mosshfrytëzimi i potencialeve turistike dhe mungesa e strategjive afatgjata të punësimit vlerësohen arsye kryesore nga ekspertët për situatën e papunësisë në Pogradec.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Arsyeja kryesore që kemi arritur në këtë rezultat janë politikat e gabuara nga qeverisja qendrore dhe lokale ndër vite. Nuk janë shfrytëzuar siç duhet kapacitetet që ofron ky qytet sidomos në fushën e turizmit," tha ai.

Por përtej dështimit të institucioneve vihet re edhe një tjetër fenomen shqetësues.

Shumë prej qytetarëve zgjedhin të jetojnë me të ardhura minimale sesa të punojnë në sektorin privat, aty ku kërkesat për punë janë të larta.

Një pjesë e madhe synojnë të gjejnë një vend në shtet.

"Politikat qeveritare si qendrore dhe lokale duhet të përqendrohen tek kalimi i të gjithë personave që janë me ndihmë ekonomike për ti fokusuar tek punësimi në biznese, por normalisht zgjidhja vjen duke rritur sipërmarrjen," tha ai.

Në Qarkun e Korçës janë në total rreth 9 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike.