Arrestimi i shqiptarit në Vlorë, Policia e Shtetit: Donte të dorëzohej tek policia greke

Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi zyrtar mbi arrestimin e 45 vjeçari Bledar Dyrmishi në Vlorë pasi ishte shpallur në kërkim nga policia greke për përdhunimin e një gruaje.

Burime për Ora News bëjnë me dije se në Greqi ai njihej me emrin Spartak Dyrmishi, por nuk dihen arsyet se pse ai ishte me dy emra, nëse kishte probleme me ligjin apo i duhej një emër grek për të marrë dokumentat.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas policisë, Dyrmishi pas arrestimit kishte kërkuar të dorëzohej tek policia greke.

"Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.

Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije," njoftoi policia.

Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi i Policisë shqiptare.