Rreth 15 pedagogë kërcënojnë me grevë urie, Rama i kthehet ashpër: Njerëz pa fe e pa atdhe
Pedagogët i përcollën mesazhin e fundit këtë të martë (1 nentor) qeverisë dhe kryeministri Edi Rama, që të shqyrtojë kërkesat e tyre, në të kundërt nga e mërkura rreth 15 prej tyre, do të nisin ngujimin në grevë urie pa afat. Por thirrja e tyre ka hasur sërish në kundërshtimin e Ramës, i cili i cilësoi ata si të nxitur nga opozita, njerëz pa fe e pa atdhe që po dëmtojnë vendin.
Një përfaqësi simbolike prej afro 15 pedagogësh do të ngujohen të mërkurën, 2 nentor 2022 në një grevë urie pa afat, nëse qeveria nuk do të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.
Kreu i sindikatës Aleksandër Kovaçi, tha se greva e urisë do të mbahet në ambientet e brendëshme të universitetit.
Aleksandër Kovaçi: “Nesër pasdite do të jetë diskutimi i fundit, lidhur me këtë çështje, sepse enkas është lënë ora 16:00, sepse ora 16:00 është mbyllja e orarit zyrtar qeveritar.
Në këtë prizëm deri në orën 16:00 do të presim qeverinë, që të japë ndonjë rrugëzgjidhje situatës. Në orën 4:00 mbasdite ne do të mblidhemi këtu edhe do vendosim përfundimisht, nëse ka një përgjigje nga qeveria apo nuk ka. Sipas pergjigjes se qeverise ne do vendosim si do të operojmë. Por ajo që është ne fuqi deri tani, është nëse nuk do të kemi një përgjigje pozitive nga qeveria ,kemi gadishmerinë e një pjesë 137 të stafit, një numër i caktuar i cili është i gatshëm që të kalojë në grevën e ngujimit, si grevë simbolike e pa dëshirushme, do jetë unike në botë.”
Deklaratën e pedagogëve, se do të përshkallëzojnë protestën, kryeminstri Edi Rama e ka komentuar me një status në Twitter.
Për kreun e qeverisë, greva është e organizuar nga opozita dhe i konsideron pjesëmarrësit pa fe e pa atdhe.
Edi Rama: “Shiksi i nongratës paska marrë urdhër për t’i dhënë ultimatum qeverisë me grevë urie të pedagogëve! Grevë urie për rritje rrogash bëjnë vetëm njerëzit pa fe e pa atdhe, rublazhinjë pa din e pa imam, foltorexhinj e baltaxhinj, që vetëm shqipërisë e shqiptarëve nuk i shërbejnë”
Të mërkurën në orën 16:00 pritet që pedagogët të futen në grevë urie, duke pritur që kërkesat e tyre të plotësohen nga qeveria.
