Hapen hetimet për aksidentin tragjik në Itali/ 22 vjeçarja, Matiasi i vogël dhe dy fëmijët do varrosen në Durrës

Prokuroria ka nisur hetimet mbi aksidentin tragjik që i mori jetën 22 vjeçares Shane Hyseni, djalit të saj të mitur, Matias dhe  motrës së saj të vogël Rejana Hyseni, 9 vjeç dhe vëllait Resat Hyseni, 11 vjeç

Prokuroria po përpiqet të ndërtojë dinamikën e aksidentit ndërkohë që trupat e pajetë do të vijnë në Shqipëri për tu prehur në Durrës nga dhe kanë origjinën.

Aksidenti tragjik ndodhi të dielën e 30 tetorit 2022 në Regio Emilia. Rejana dhe Resat kishin shkuar tek motra, dhe së bashku kishin dalë për të ngrënë jashtë në një restorant sushi në qytet.

Shumë pyetje duan përgjigje për tragjedinë e dy familjeve.

Makina Fiat Stilo e cila drejtohej nga 32-vjeçari Orjol Lame duket që ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara përndryshe nuk shpegohet përpasja fatale që shkaktoi edhe shembjen e murit të banesës së pabanuar. Bordura e trotuarit duket ka luajtur si trampolin që makina të ”fluturojë” dhe të përplaset me murin pa e prekur fare trotuarin.

Prokuroria e Regio Emilias ka hapur dosjen “vrasje në rrugë” ndërkohë që 32 vjeçari Orjol Lame ndodhet në terapi intensive në spital.

Ka dyshime se Orjoli mund të ketë ndjerë dhimbje në këmbë dhe – duke mos iu përgjigjur vullnetit të tij –të ketë shtypur edhe më shumë gazin e të ketë humbur kontrollin. Gjithashtu ka dyshime se i vogli të ketë qenë në prehrin e mamasë së tij dhe jo në sediljen e posaçme siç përcakton kodi rrugor.

Makina rezulton se nuk ishte e siguruar dhe nuk ishte në pronësi të 32 vjeçarit por e një shtetasi Italian I cili është thirrur për tu marrë në pyetje.

Sot do të bëhet ceremoni homazh dhe  më pas trupat e pajetë do të sillen në Shqipëri për tu varrosur në Durrës shkruan media italiane.