Gazetarja i lexon platformën e Bardhit, Balliu: PD nuk është kompani të drejtohet me Borde dhe Këshill, e ka kryetarin

Një shpërfaqje dëshirash. Kështu e ka konsideruar platformën e propozuar nga Gazment Bardhi shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu.

Teksa u njoh me pikat e kësaj platforme në studion e lajmeve të Rtv Ora nga gazetarja Beti Njuma, Balliu tha se po flasim për Partinë Demokratike dhe partitë nuk drejtohen as me Borde dhe as Këshill siç propozon Bardhi kur partia tashmë e ka një kryetar.

Balliu: Platforma që propozojnë sipas dëshirës të tyre, si mendon Gazi se duhet bërë dhe nëse nuk bëhet siç e do Gazi nuk quhet bashkim, nuk quhet demokraci. Nuk shoh ndonjë gjë të keqe, por partitë nuk janë kompani që mund ti drejtosh me Borde, me Këshill.

Partia ka një kryetar, përsa kohë janë dakord me procesin e primareve i cili nuk mund të jetë kusht, kjo parti ka lindur për votën dhe nuk mund të hiqen primaret.Të bëhen pjesë e primareve, pjesë e grupit që bën transparencën në primare.

Se kujt i takon logoja dhe vula e PD, Balliu thotë se ky është një diskutim bosh.

Balliu: Atë nuk e cakton dot as gjykata, as individi. E cakton populli kush është opozita. Gjykata të bëjë çfarë të dojë. Kush është opozita dhe kryetari i saj e vendosin qytetarët shqiptarë.

Është një turp që kjo gjykata ka pranuar ankimin.Është turp! Janë një hiç! Opozita është PD, kryetari i saj është Sali Berisha i zgjedhur me votë, të hidhen  përpjetë! Opozitën e kanë përballë dhe do marrin atë që u takon.

Balliu thotë se koha e analizave ka mbaruar dhe tani është koha e veprimit.

Balliu: Tani është çështje veprimi dhe veprimi është 12 nëntori, protesta ku duhet të bashkohet çdo qytetar. Kush tjetër ka çarter privat në rajon?

Ish-deputeti demokrat nuk duket i surprizuar nga qëndrimi i mazhorancës për reformën territoriale.

Balliu: Mazhoranca është në grahmat e fundit të saj dhe kërkon të ketë çdo lloj favori, përfshirë dhe një reformë territoriale të njëanshme që e kanë bërë vetë për interesat e veta. Të gjitha skemat janë nul, kanë rënë. Fasada që investuan miliarda euro ka rënë dhe qytetarët janë të qartë.

E vetmja gjë që ka rëndësi është bashkimi i qytetarëve me opozitën në protestë. Protesta nis në 12 nëntor por se kur mbaron nuk dihet. Kemi lënë vetëm orën e fillimit të protestave. Kur të fillojë kjo protestë, protestat e tjera nuk dihet kur ndalojnë.