Balla: Të ardhurat e bashkive të shkojnë për shërbime, jo punësime, kemi bërë revolucion digjital

Nga Kuvendi i Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla u shpreh se PS do të kujdeset që të ardhurat e bashkive do të shkojnë për shërbime dhe jo punësime.

Sipas tij, revolucioni digjital ka ulur kostot dhe ka lehtësuar procedurat burokratike dhe shtoi se sot kemi 1200 shërbime në e-albania ose 95% e shërbimeve i merr online.

Balla: Ne do të kujdesemi që çdo qindarkë të shkojë për përmirësim shërbimesh dhe jo punësim. E ka thënë edhe kryeministri me krerët e bashkive që të heqim sa më shumë dorë që të ardhurat të shkojnë për shërbime dhe jo për punësime. Ne nuk kemi shkuar akoma atje ku kemi parashikuar me reformën e vitit 2014. Gjatë kësaj kohe kemi pasur probleme me pandeminë për të vazhduar me këtë proces. Mendoj se edhe për shëndetësinë e arsimin duhet të vazhdojë decentralizimi.

Ne kemi realizuar revolucionin digjital. Nga vitit 2011 një familje merrte një ndihmë ekonomike 8 mijë lekë. Harxhonte 1200 lekë për certifikatën, paguante edhe transportin për këtë certifikatë dhe gati gjysma e vlerës ekonomike shkonte për të marrë certifikatën. Të gjithë biem dakord që ka ndodhur; revolucioni digjital ka ulur kostot dhe ka lehtësuar procedurat burokratike. Sot kemi 1200 shërbime në e-albania ose 95% e shërbimeve i merr online. Sot kemi 2.7 milionë qytetarë që janë aksesuar në këtë platformë. Ne u kemi kursyer qytetarëve 65 milionë euro kosto pune.