Kamera në trupin e policëve për të ulur abuzimet, Fishta: Vendim i vonuar, të përmirësohet logjistika
Kamerat e trupit të punonjësve të policisë do të rivendosen në funksion ndërkohë që ky proces do të kushtojë 60 milion lekë në buxhetin e shtetit. Kamerat e blera me tenderin e parë kanë dalë shumica jashtë funksionit. ndërkohë që ekspertët mendojnë se kjo nisme e Ministrisë është e vonuar pasi shumë ngjarje të ndodhura me protagoniste policinë nuk po dokumentohen për shkak të mungesës së kamerave të trupit.
Rritja e numrit të ankesave ndaj punojësve të policisë për sjellje apo për veprime arbitrare duket se e ka detyruar Ministrinë e Brendshme që të rikthejë kamerat e trupit.
Pajisjet e regjistrimit pamor u vunë në funksion edhe 6 vite më parë, por nuk zgjatën shumë pasi shumica prej tyre u prishën duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 5.7 milion eurosh.
Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, tregon se prezenca e kamerave tek punonjësit e policisë do të ulë abuzimet.
"Kur punonjësi i policisë është në detyrë dhe kur ndeshet me një kundërshtim të një qytetari apo dhe kërkesat e tij ndaj qytetarit, duke qenë këto kamera besoj që do ulin në masë të konsiderueshme agresivitetin e punonjësit të policisë dhe do ndryshojnë mënyrën e komunikimit dhe sjelljes."
Sipas Fishtës, të parët që duhet të paisjen më këto kamera janë efektivët e Rrugores dhe Shqiponjat, pasi për këto sektorë ka më shumë denoncime.
"Është e nevojshme për çdo polic që ka kontakt me qytetarin,që janë patrullat e përgjithshme, Shqiponjat".
Në vitin 2017, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për tenderin me vlerë 5.7 milionë euro nga Ministria e Brendshme, për blerjen e kamerave të trupit për efektivët e policisë dhe makinat e tyre.
Hetimi u regjistrua pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për shkelje të barazisë në tendera ku ky institucion listoi 10 emra të zyrtarëvë të Ministrisë, të cilët kanë qenë anëtarë në Komisionin e Vlerësimit të Oferatve.
Aktualisht vetëm disa kamera janë në funksion, të cilat përdoren në mënyrë sporadike nga Policia Rrugore.
