Skandali i udhëtimeve të Ramës, Berisha akuzon kryebashkiakun: Veliaj lidhje me Iranin

Në një situatë kritike të ekonomisë së vendit, duke ju referuar dhe vendimit të Entit Rregullator të Energjisë për shtrenjtimin e faturës, Sali Berisha tha se revolta e qytetarëve ka arritur kulmin.

Përgjegjës bëri kryeministrin Edi Rama, të cilit i kujtoi 12 nëntorin e protestës kombëtare.

"Me dhjetëra milionë euro çarter dënon dhe ndëshkon duke u vjedhur energjinë qytetarëve shqiptarë. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë, në Shqipëri është prodhuar 100% i energjisë elektrike që konsumohet, nuk ka pasur asnjë mungesë. Ka pasur vjedhje dhe vetëm vjedhje."

Duke ju referuar të dhënave për udhëtimet e kryeministrit Rama, Berisha tha se bëhet fjalë për një skandal që kapërcen çdo limit.

Dhe autorin  e publikimit të këtij skandali Berisha e sheh brenda oborrit të pushtetit.

"Politikani i vetëm në Shqipëri me lidhje iraniane është Erion Veliaj. Ishte politikani i vetëm shqiptar që bënte udhëtime frekuente në Teheran."

Një ditë pas marrëveshjes me Ilir Metën për zgjedhjet lokale, Berisha mohoi pretendimet se një aleancë e tillë sjell ndasi edhe më të mëdha te demokratët pasi grupin e deputetëve të Alibeajt ai nuk e quan palë.

"Çdo deputet, çdo anëtar dhe simpatizant i PD është i ftuar dhe në vlerësimin tim i detyruar, të marrë pjesë në protestën antiqeveritare të datës 12 nëntor".

Çdo deputet, sipas Berishës, ka të drejtë të kandidojë ose të propozojë kandidatë për primaret, ashtu siç e ka detyrim të jetë pjesë e protestave antiqeveritare.