Elbasan, konfiskohen 3 milion euro pasuri të Emiljano Shegës
Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur konfiskimin e pronave dhe pasurive të Emiliano Shegës, i dënuar në disa shtete për trafik të lëndëve narkotike.
I dënuar në Britaninë e Madhe me 10 vjet burg, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur konfiskimin e pasurive të Emiliano Shega.
Pasuritë e konfiskuara nga Gjykata mendohet të kapin vlerën e 3 milionë eurove.
Konkretisht, në zbatim të vendimit të Gjykatës policia njoftoi se Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, kaluan në pronësi të shtetit
Tokë me sipërfaqe 45 000 m katrore, në fshatin Gjilek, Himarë;
1 apartament me sipërfaqe 130 m katrore, në Tiranë;
2 garazhe me sipërfaqe 230 m katrore, në Tiranë;
1 vile dykatëshe me sipërfaqe 500 m katrore, në Peqin;
1 apartament me sipërfaqe 111 m katrore, në Kryevidh, Kavajë.
Emiljano Shega është arrestuar vite më parë si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi drejt Mbretërisë së Bashkuar lëndë narkotike me vlerë 10 milion paund.
Gjatë aksionit të policisë, droga u gjet e fshehur e mbuluar me qilima. Asokohe Shega u dënua me 10 vite burg nga autoritetet britanike.
Gjithashtu Shega është arrestuar në Amsterdam të Holandës, për trafikim të narkotikëve, si dhe është dënuar në Shqipëri, për mbajtje pa leje të armeve luftarake dhe falsifikim të dokumenteve.


