Protestë për pagat dhe festat e papaguara, punonjësit akuzojnë: Call Centerat shkelin Kodin e Punës
Punonjësit e Call Center-ave kërkojnë rritje pagash dhe trajtim financiar për ditët e festave. Në një protestë në Tiranë, ata thanë se kompanitë kanë shkelur kodin e punës e për këtë arsye shumë punonjës janë detyruar të largohen nga Shqipëria.
Sindikata kombëtare e operatorëve telefonikë protestoi duke kërkuar nga kompanitë zbatimin e kontratës së punës.
Ilir Xhemalaj, thotë se prej 6 vitesh nuk u janë paguar ditët e festave shqiptare.
"Që nga pagesa e ditëve zyrtare që nga 2016 dhe deri sot nuk janë paguar. Kompanitë janë gjetur që të gjitha në shkelje nga ana e Inspektoriatit të Punës të Republikës së Shqipërisë dhe kompanitë akoma nuk pranojë që të ulen në tryezë me sindikatën."
Sipas protestuesve, edhe pse kërkesa është paraqitur disa herë, kompanitë kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur përmbushjen e këtij detyrimi.
"Na e ka thënë në sy hapur fare se, ok 6 vjet ju kemi vjedhur, 3 vjet nuk i kërkonit dot me ligj kurse 3 vjet të tjera ju keni qenë në pandemi dhe ligji nuk është i qartë nëse këto festa paguhen apo jo. 2 vjet ju digjen nga pandemia kurse 1 vit ne u kemi paguar festat italiane. Na i ka paguar se i interesonte."
Punonjësit e operatorëve telefonik kërkojnë përmirësimin e trajtimit financiar, pasi sipas tyre pagat janë ende në nivelin e para 10 viteve.
"Është e njëjta pagë që është marrë para 10 vitesh."
Rreth një e treta e punonjësve janë larguar nga Shqipëria për shkak të mungesës së kushteve.
"Kanë qenë diku 25 mijë punonjës dhe një e treta e tyre është larguar nga Shqipëria."
Punonjësit paralajmëruan përshkallëzimin e protestës nëse problemet e tyre nuk zgjidhen.

