S’ka “tym të bardhë” për harten, 3 kushtet e PS ndaj PD-së në tryezën e dialogut

Edhe pse janë ulur disa herë për të dialoguar për të gjetur një zgjidhje për ndryshimin e hartës, Balla dhe Alibeaj nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbahkët. PD nuk tërhiqet nga 33 bashki , ndërsa PS nuk lëshon pa kushte. Të hënë në seancën e posaçme do të vendoset pasi të diskutohen 2 raportet e komisionit të posaçëm.

As nga takimet e mbyllura mes Taulant Ballës dhe Enkelejd Alibeaj në kryesinë e Kuvendit nuk ka dalë ende “tym të bardhë” për të ndryshuar harten territoriale, para zgjedhjeve vendore.

Pengesë për të gjetur dakordësinë është bërë numri i lartë i bashkive që kërkon PD për të shtuar, 33 njësi vendore, dhe kushtet e vendosur nga Partia Socialiste.

Por Ora News ka mësuar nga burimet, se mazhoranca i ka vendosur 3 kushte opozitës për bashkitë e reja. E para që njësia vendore duhet të ketë qënë bashki, para ndarjes territoriale të 2014.

Socialistët janë kundër ndarjes së qyteteve aktuale që kanë dalje në det, siç mund të jenë pretendimet e PD për Orikumin që të mos jetë më me Vlorën, Velipoja nga Shkodra, apo Shëngjini nga Lezha.

Ndërsa kushti i fundit që në rast bashkish të reja të ketë të paktën 5 mijë banorë.

Për shkak të këtyre kushteve numri i 33 bashkive të kërkuar nga PD reduktohet ndjeshëm, numër që sipas burimeve nuk janë pranuar nga Enkelejd Alibeaj.

Në një deklaratë për mediat kreu i grupit socialist Taulant Balla u shpreh se të hënën grupi i PS do të marrë një vendim përfundimtar që më pas t’i drejtohen Parlamentit.

“ Eshtë e vërtetë që kemi komunikim, por në fund secili prej grupeve parlamentare do të shprehet dhe do të kemi një komunikim me ju ditën e hënë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partis Socialiste, për të dhën dhe vendimin ton përfundimtar për këtë çështje” tha Taulant Balla.

Me 31 tetor pasdite është parashikaur seanca e posaçme prej 4 orësh për të diskutuar për reformen territoriale mbi dy raportet e komisionit të posaçëm.


Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.