"Tjetërsimi i Ranës së Hedhun", Gjykata dënon me nga 3 vjet burg Fran Frrokaj dhe Gjok Ndokën

Ish-kryetari demokrat i Bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj është dënuar me 3 vite burg, pasi u shpall të premten fajtor nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, që lidhet me tjetërsimin e mijëra hektarë tokë. Gjykata e Apelit dha vendimin edhe për 16 zyrtarë të tjerë të disa institucioneve dhe qytetarë që ishin përfshirë në një skenë kriminale të tjerërsimit të pronave në bregdet.

Gjykata e Apelit në Shkodër dha këtë të premte vendimet në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin, hetim i cili nisi që prej vitit 2017-të.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarku Gjok Ndoka u dënuan me nga 3 vite burg, ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë në Lezhë i kishte dënuar me nga 4 vite burg.

Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Tonin Sterkaj i gjeti fajtor për vepren penale "Shpërdorim Detyre".

Gjykata gjeti fajtor dhe 16 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, por duke bërë disa ndryshime nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Për ish-nënkryetarin e Bashkisë Enver Hafizi dhe ish-juristin e bashkisë Ardenis Haxhia dënimi me burg u konvertua me shërbim prove, ndërsa ish-futbollisti Renata Malotaj i cili u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lezhës u dënua nga Apeli me 1 vit shërbim prove.

Ndërsa për 13 personat e tjerë, Apeli la në fuqi vendimet e Gjykatës së Shkallës së parë Lezhë e cila i kishte dënuar nga 1 deri në 3 vite burg.

Gjithashtu gjykata ka vendosur që të gjitha dokumentet shkresore të cilat sipas aktekspertimeve kanë rezultuar të falsifikuar, të asgjesohen, ndërsa dokumentet e tjera të sekuestruara si prova materiale do t’u kthehen institucioneve përkatëse.

Fran Frroku ishte i vetmi ish-zyrtar i pandehur gjatë dhënies së vendimit, por ai u largua nga salla pa u arrestuar, pasi nuk kishte dalë ende urdhëri i prokurorit.

Vendimi i gjykatës pritet t’i dërgohet policisë për ekzekutimin e vendimeve dhe prangosjen e personave të dënuar.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte.

Fillimisht në këtë çështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona, nga të cilët vetëm një u shpall i pafajshëm.

Për tjetërsim pronash në bregdet ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka janë marrë të pandehur dhe nga SPAK, pas një hetimi të nisur në vitin 2019.

Dokumenta bashkëngjitur