Afera e incineratorëve, Gazmend Bardhi në SPAK: Konfirmova kallëzimin e PD-së për Elbasanin

Hetimi per incineratorin e Elbasanit është në fazën përfundimtare, ndërsa Prokuroria para finalizimit të hetimit ka thirrur kallëzuesit e aferës për të parë nëse kanë apo jo të tjera fakte. Pas Monika Kryemadhit një ditë më parë, në SPAK u paraqit këtë të premte edhe deputeti Gazment Bardhi. Ai tha se SPAK duhet të dërgojë para drejtësisë të gjithë të implikuarit.

Pas Monika Kryemadhit, një tjetër politikan i përfshirë në denoncimet për aferën e incineratorëve është thirrur për të dëshmuar në Prokurorinë e Posaçme.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, dha deklarime në SPAK si person që ka dijeni për çështjen.

Pas sqarimeve të dhëna në Prokurori, në një deklaratë për mediat, Bardhi i bëri thirrje këtij institucioni të çojë para drejtësisë të ata që janë përfshirë në këtë aferë të konsideruar si vjedhja e shekullit.

"Siç jeni në dijeni në 2020 PD ka denoncuar aferën për 3 incineratorët: atë të Elbasanit, të Fierit dhe Tiranës.Sot unë isha në cilësinë e kallëzuesit për incineratorin e Elbasanit, që mesa duket është duke përparuar në hetime. Pas dy vitesh nuk ka përfunduar ende. Kam konfirmuar kallëzimin e bërë në emër të PD dhe gjej rastin të inkurajoj SPAK për të përfunduar hetimet e për të çuar para drejtësisë të gjithë pëersonat përgjegjës," tha ai.

A keni dijeni për hetimet që po ndihqen për incineratorin e Tiranës?

"Jo nuk ka siç edhe ju besoj e dini që nuk ka asnjë zhvillim për rrjedhën e hetimeve të incineratorit të Tiranës. E përsëris, i kemi dhënë besim SPAK dhe do të duhet të na kthejë mbrapsht besimin. Qytetarët presin rezultate konkrete sa i përket jo vetëm këtyre tre incineratorëve që janë një aferë e pastër korruptive,por dhe për aferat e tjera të denoncuara në SPAK," tha ai.

Cili ishte interesi i prokurorëve apo Byrosë Kombëtare të hetimit?

"Është procedurë normale dhe ligjore që kallëzuesi të japë gjithmonë deklarimet e tij mbi kallëzimin që ka bërë," tha Bardhi.

Kush janë emrat e zyrtarëve të lartë të denoncuar për aferën e incineratorit?

"Kam kërkuar që të merret në cilësin e provës edhe materialet  edhe gjetjet e komisionit hetimor parlamentar për incineratorët.

Është fakt i njohur publik, që nga kryeministri Edi Rama e deri tek nëpunësit që kanë nënshkruar si pjesë e komisionit për dhëninen me koncesion.

Fakti që kryeministri Rama, Sekretari i përgjithshëm Engjëll Agaçi, dy ish-ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj dhe një sërë zyrtarësh të tjerë janë sot ende të lirë dhe pa asnjë përgjegjësi për këtë aferë, tregon që pritshmëritë tona nuk janë përmbushur," tha ai.

Për incineratorin e Elbasanit, Prokuroria ka arrestuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe disa ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, ndërsa janë shpallur në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, dy administratorët e kompanive që kane fituar tenderin, të cilët ende nuk janë prangosur.

SPAK po vijon hetimet për dy incineratorë e tjerë të Fierit dhe Tiranës, ku për kryeqytetin nuk ka ende asnjë të arrestuar.