Të shtëna me armë zjarri te “Kodra e Diellit”, plagoset një person nga komshiu

Një person është plagosur me armë zjarri nga komshiu pas një konflikti të ndodhur mes tyre.

"Rreth orës 21:50, është paraqitur në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, shtetasi Jonian Shehu 35 vjeç, i plagosur me armë zjarri.  Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë shkuar në vendngjarje, te Kodra e Diellit, dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar shtetasit Olsi Bllaci ", njofton policia.

I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Olsi Bllaci pas një konflikti ka plagosur me armë zjarri shtetasin Jonian Shehu, thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes .

Vijon kontrolli i zonës për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.