Kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ka mbyllur fazën e intervistimit të tre kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë propozuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Arta Vorpsi, ish-kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi dhe ish-prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, mbaruan fazën e intervistimit dhe pritet që nesër të kalojnë fazën tjetër, atë të pikëzimit.
Në fazën e parë tre kandidatët e propozuar nga presidenti, kanë paraqitur përpara këshillit, platformat e tyre prezantuese si edhe i janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme të drejtuara nga anëtarët e këtij këshilli.
Gjithashtu, gjatë këtij procesi është zhvilluar edhe intervistimi nga eksperti i caktuar nga KED, për verifikimin e nivelit të njohjes së gjuhës së huaj.
Ndërkohë nesër procesi ndaj tre emrave të mësipërm hyn në fazën e dytë, pasi KED, do zhvillojë procesin e pikëzimit dhe renditjes së tre kandidatëve të lejuar. Renditja pritet të bëhet në orën 14:00 dhe në përfundim të procesit, do vijohet me dërgimin e listës emërore tek presidenti i Republikës për Dekretim.
Një nga tre kandidatët, qoftë ai i pari, qoftë i treti apo i dyti i listës, do zgjidhet nga Presidetni Begaj, për të qënë anëtar i ardhshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.
Ndërkohë sa i perket vakancës nga Gjykata e Lartë, rezulton që nga 5 kandidaturat që kanë qenë, të kenë mbetur vetëm 2, çka ka bërë që KED t'i drejtohet Gjykatës së Lartë për të vendosur nëse duhet të vijojnë me procesin.
Nga kandidimet e mëparshme rezulton të mos jetë mbajtur një standard i njëjtë nga KED dhe organi i emërtesës. Ka patur raste kur edhe pse vetëm me një kandidaturë të vetme, procesi ka vijuar dhe kandidati është emëruar, sikundër është rasti i Altin Binaj.
KED tashmë prej një muaji pret përgjigje nga Gjykata e Lartë, e cila e ka pezulluar procesin duke riçelur procedurat 3 herë të tjera.
Tejzgjatja e procesit ka bërë që Vitore Tusha të jetë duke përfunduar edhe një mandat të dytë, tej çdo parashikimi ligjor.
Mbetet për tu parë nëse do të ketë një pezullim për të katërtën herë të procesit duke krijuar një situatë të paprecedentë.
Duke patur parasysh sesa zgjat vete procesi i kandidimit dhe verifikimit, Vitore Tusha rrezikon të fillojë edhe një mandat të tretë.