Blinken flet pas takimit me Xhaçkën: SHBA-ja krah për krah me Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej një kohe të gjatë u shpreh Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken në llogarinë e tij në Twitter.

Pas takimit me Ministren e Jashtme, Olta Xhaçka që u mbajt të martën më 25 tetor në Washington DC Blinken shkruan se u diskutua mbi reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej një kohe të gjatë.”- u shpreh Blinken.

Ndërkohë në një njoftim të djeshëm të shpërndarë nga ministria e Jashtme mësohet se Blinken shprehu mirënjohjen e SHBA ndaj Shqipërisë si një aleat që gjithmonë ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj; vlerësoi faktin që Shqipëria strehoi shtetasit afganë dhe nënvizoi se SHBA do të jenë gjithmonë në krah të vendit tonë.

Nga ana e saj Kryediplomatja Xhaçka është shprehur se “Shqipëria  e vlerëson shumë partneritetin e saj strategjik me SHBA-të  dhe “jemi të bindur se kjo marrëdhënie do të thellohet dhe zgjerohet më tej në të ardhmen duke u bazuar në  themelet e qëndrueshme të miqësisë midis vendeve dhe njerëzve tanë”

Të martën në Departamentin e Shtetit u mbajt, takimi më i rëndësishëm i marrëdhënies politike mes dy vendeve:  dialogu i partneritetit strategjik SHBA - Shqipëri. Në dialog morën pjesë përfaqësues nga 6 ministri si dhe  nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare ku u diskutuan rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik.

Blinken flet pas takimit me Xhaçkën: SHBA-ja krah për krah me