Vrasja e grekut në Halkidiki nga vëllezërit shqiptarë, njëri prej tyre ishte në lidhje me vajzën e viktimës

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 53-vjeçarit grek në Halkidiki nga dy vëllezërit shqiptarë, të cilët janë arrestuar nga policia. Mësohet se më i vogli prej tyre, 27 vjeçari kishte një lidhje me vajzën 18-vjeçare të viktimës.
Gjithçka ka ndodhur rreth orës 23:00 të së enjtes, kur dy vëllezërit shqiptarë, 27 dhe 47-vjeçarë, kanë mbërritur në shtëpinë ku jetonte viktima me familjen e tij.
Më pas për një arsye ende të panjohur ka shpërthyer një konflikt i egër mes vëllezërve shqiptarë me viktimën 53-vjeçare dhe dy fëmijët e tij. Përplasja ka ndodhur në rrugicën e vogël jashtë shtëpisë së familjes.
27-vjeçari shqiptar ka goditur me thikë djalin 24-vjeçar të viktimës dhe ka shtyrë partneren e tij 18-vjeçare.
Më pas, vëllai 47-vjeçar i 27-vjeçarit e ka goditur viktimën me shpinën e sëpatës në gjoks.
Sipas dëshmitarëve okularë, 53-vjeçari nuk e ka gjetur vdekjen në vend por pranë një karburanti të vjetër, që ndodhet 300 metra larg vendit të ngjarjes.
“Burri po përballej me probleme të rënda shëndetësore. Pas këtij episodi, familjarët e tij e futën në makinë dhe u larguan nga shtëpia, por ai nuk ndihej mirë dhe u ankua se i dhemb zemra. Ndaluan makinën jashtë karburantit të vjetër, e nxorën të shtrihej dhe në momentin që mbërriti ambulanca ai kishte vdekur”, tha një banor i zonës për protothema.gr.
Komuniteti i vogël i Kasandrës është tronditur nga ngjarja tragjike.
Pjesa më e madhe e tyre raportojnë se bëhet fjalë për dy familje të cilat shpesh janë përleshur me njëra-tjetrën, ndërsa kanë frikë të flasin pasi e dinë se kanë angazhuar sërish policinë në të kaluarën për çështje dhe akuza të ndryshme.
Siç thonë ata, viktima ishte babai i të riut 24-vjeçar i cili akuzohet se ka dhunuar një të mitur më 16 shtator, në plazhin e Nea Skionit në Bashkinë e Kasandrës.
24-vjeçari u arrestua, ndërsa pas rrëfimit të tij në hetuesi u la i lirë me kushte shtrënguese.
Bëhet e ditur se i riu i kishte mohuar akuzat.
Vajza e viktimës, sipas banorëve të zonës, ishte në lidhje me 27-vjeçarin e akuzuar prej më shumë se dy vitesh, por nuk dihet nëse ky fakt lidhet me episodin e egër, pasi siç thonë ata kishin konflikte dhe për çështje të tjera.
