Opozita, “luftë” me spiunë

Kritikat për votën pro hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit e kanë detyruar kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tu japë shpjegime të djathtëve mbi vendimin për bashkimin me mazhorancën në këtë nismë.

Në tryezën përballë një grupi intelektualësh, Alibeaj e quajti një akt patriotik.

Por për deputetin e Partisë së Lirisë Petrit Vasili ngjyrimet që i jep Alibeaj nuk qëndrojnë.

Alibeaj: E paraqitëm atë amendament si një detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare.

Vasili: Të përndjekurit politikë u përdor thjesht si plaçkë tregu për pazarin e qelbur mes rilindasve në pushtet dhe rilindasve në opozitë, që u vunë në lëvizje në një ditë vape të korrikut dhe për turp e faqe të zezë me urdhrin e email-it të Sigurimit të Shtetit, të atij Sigurimi që edhe sot kontrollon fatet e atyre, që i vrau, i persekutoi dhe i internoi dhe e gjitha kjo tollovi vape behari vetëm për shkak se Edi Ramës i hyri lepuri në bark se Ilir Meta krijoi dhe drejton Partinë e Lirisë.

Ndonëse në amendamentin e propozuar nga grupimi i Alibeajt parashikohet hapje e plotë e dosjeve, ngërçi qëndron te e drejta e Autoritetit të Dosjeve për të vlerësuar argumentin.

Alibeaj: Ne arritëm për të hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Vasili:  Dosjet nuk hapen fare. “Paçavurja” që votuan rilindësit në pushtet dhe opozitë, e thotë e zeza mbi të bardhë, është vetëm Autoriteti i Manipulimit të Dosjeve, i cili do të vendosë për secilin nëse hapet dosja dhe nëse i jepet apo jo informacioni i kërkuar.

Alibeaj hedh poshtë dyshimet se pas votimit fshihen pazare me Partinë Socialiste, por Vasili e konsideron një akt të qëllimshëm për të goditur politikisht Ilir Metën.