Demokratët e Berishës kërkojnë 97 bashki, Asllani: 84 vota si kemi, por s'do ta lëmë Ramën vetëm me alternativën e Ballës
97 bashki ka propozuar Partia Demokratike në projektligjin për ndarjen e re territoriale të vendit. Deputetët mbështetës të Berishës shprehen se mund të ketë një bashkëpunim me grupimin e Alibeaj që kërkon 94 bashki.
Ylli Asllani, sekretar për pushtetin vendor në PD, i angazhuar për hartimin e reformës territoriale, deklaroi në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj se ka pasur një përpjekje për të dalë në një draft të përbashkët me pjesën tjetër të PD.
Asllani: Kemi pritur që dhe me pjesën tjetër të PD të gjenim një konsensus, do të ishte shumë fair të dilnim me një projekt të vetëm.Por larmishmëria që po krijon PD me alternativa të ndryshme i jep më temp debatit për reformën territoriale.U mendua fillimisht që numri i bashkive të rrotullohej rreth projektit të parë të PS, por me kalimin e kohës dy linjat e PD kanë arritur të konvergohen në qasjen si duhet përmirësuar harta territoriale. Synimi jonë ka qenë që duhet të gjejmë konsensus në projektet që ofrojmë për diskutim. Ne jemi të hapur brenda objektivave tona, nuk merremi me emra dhe as kemi xhelozi. Motivi jonë është tu ofrojmë qytetarëve një qeverisje sa më pranë tyre.
Asllani thotë se reforma territoriale e 2014 i ka dhënë një goditje fatale pushtetit vendor.
Asllani: Jemi munduar të mos biem në kurthin e këtij gabimi që është bërë fatal për pushtetin lokal, 2014 i ka dhënë një goditje fatale. Pushteti lokal është i falimentuar, njerëzit janë të papërfaqësuar. Nuk bëhet fjalë për cilësi por mungojnë shërbimet bazë. Ujësjellës Kanalizmet kanë falimentuar me borxhe.Te mbledhja e mbeturinave janë futur dhe elementë kriminalë. Financat bashkiake po ua kërkojnë me ngulm, Kryeministri kërkon t'ua marrë trajtimin e ujërave të zeza, ujin e pijshëm. Nuk kemi shpikur ligj të ri por kemi bërë një amendim. Sikur qeveria ka pushtuar vendin e saj, ka vendosur disa emisarë që nuk kanë lidhje fare me krahinat, komunitetet.
Sipas tij, në konceptimin e kryeministrit ka një fiksim sikur qeverisja lokale është ndërmarrje e qeverisë dhe do trajtohet si vartëse e Këshillit të Ministrave.
Ai shkon më tej kur thotë se edhe pushtuesit janë kujdesur që kur e pushtojnë një vend të krijojnë disa elementë administrativë.
Asllani: Këtu çfarëdo krahine ti vësh gishtin, fshati është boshatisur. Arsyeja kryesore është që një kryetari bashkie as nuk i bie në mend fare. Nuk është një ndeshje për të mundur kundërshtarin, reformat nuk janë për të mundur kundërshtarin. Ne e dimë që mundet dhe me një pjesë të ish-anëtarëve të PD mund ta realizojë siç ka realizuar zgjedhjet e 2019. Por nuk është ky qëllimi i një politikani, këtu mungon përgjegjësia.
Edhe pse janë të vetëdijshëm që nuk kanë votat për të kaluar draftin e tyre në Kuvend, qëllimi i PD-së së Berishës duket se është të përmbushë detyrimin ndaj qytetarëve duke shpalosur një alternativë.
Asllani: Për hir të historisë së dhimbshme që ka kaluar në këto tryezat e Edi Ramës, PD është e qartë se ka dy probleme për të zgjidhur, problemin e bashkimit të opozitës dhe propjektet e saj për qytetarët. Në këto dy shina PD po ecën e vendosur. Është e vendosur për një qeverisje sa më afër qytetarëve. Nuk do ta lëmë Ramën në tavolinën e debatit vetëm me alternativën e Taulant Ballës. Ne nuk i kemi 84 votat por kemi gjithë të drejtën tu themi shqiptarëve që keni dhe këtë alternativë.
Sa i takon primare në PD për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish, Asllani thotë se nuk ka zgjedhje më të mira se ato të drejtëpërdrejta.
