Qeveria “sfidon” me amnistinë fiskale, Hohmann: Pyesni Ramën a do tërhiqet?

Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann, deklaroi nga Korça se samiti mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, tregon rëndësinë që ka ky rajon për Unionin. Christiane Hohmann komentoi edhe përplasjen me qeverinë shqiptare për amnistinë fiskale dhe theksoi se lufta ndaj korrupsionit mbetet çështje kryesore.

Tregues të rëndësisë që ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian.

Kështu e cilësoi nga Korça, Ambasadorja e BE, Christiane Hohmann takimin e liderëve të Vendeve të BE dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.

"Është hera e parë që samiti ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor organizohet jashtë BE dhe vjen për herë të parë në Shqipëri. Kjo tregon rëndësinë që ka për ne i gjithë rajoni dhe sa i rëndësishëm është anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe sidomos puna që do të duhet të bëjnë këto vende drejt BE por dhe për faktin që në Shqipëri do të vijnë në 6 dhjetor liderët e të gjitha vendeve që do të diskojnë çështje me rëndësi për të ardhmen e unionit".

Nisma për amnisti fiskale e ka përplasur qeverinë shqiptare me Bashkimin Europian.

Kryeministri Edi Rama dhe vartësit e tij kanë bërë se nuk do të tërhiqen, ndërsa përfaqësuesja e Brukselit në vendin tonë thotë se diskutimet vijojnë.

 “A do të ndryshojë mendim qeveria për amnistinë fiskale është një pyetje që duhet t'ia bëni Kryeministrit dhe jo mua. Ne vazhdojmë bisedimet me qeverinë shqiptare për këtë çështje.”

Sa i përket nivelit të kriminaliteti dhe korrupsionit në vend, Hohmann përmend raportin e KE, duke thënë se çështje e rëndësishme mbetet lufta kundër korrupsionit.

 “Ju mund të dini se rreth 10 ditë më parë, KE ka botuar raportin vjetor për të gjtihë vendet e rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë. Është raport që përfshin gjendjen e vendit. Një pjesë e rëndësishme ka të bëjë me sundimin e ligjit. Raporti është i qartë sa i përket konsolidimit dhe për të luftuar cështje si lufta kundër korrupsionit”.

Samiti i Tiranës vjen në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë nisur negociatat, ndërsa Kosova pret liberalizimin e vizave dhe Bosnje-Hercegovina pret statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.