Ledina Riza zgjidhet anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Asambleja e Prokurorëve zgjodhi Ledina Riza si anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Riza mori 113 vota, përkundrejt 83 të kandidatit tjetër Etien Kapo.
200 prokurorë morën pjesë në votim. Katër fletë u shpallën të pavlefshme, informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi.
Votimi u mbajt në godinën e Polit të Drejtësisë ku u mblodh Asambleja e Prokurorëve.
Prokurorja Riza kishte informuar secilin prokuror me platformën e saj nëse ajo do të zgjidhej si përfaqësuesja e tyre në KLP.
"Nëse do të jem në Këshill do të shpreh dinjitetin dhe integritetin. Mendoj se e kam bërë me shumë kujdes profesionin e prokurorit dhe shpresoj tju përfaqësoj me dinjitet. Këshilli duhet tu bëhet krah prokurorëve dhe prokurët ta kenë derë të hapur KLP-në" tha Riza gjatë fjalës së saj para votimit.
Para votimit secili prej kandidatëve mbajti fjalën e tij para prokurorëve.
Ndërkohë për këshillin drejtues të Shkollës Magjistraturës u zgjodh Albert Kuliçi me 100 vota.
Gjatë fjalës së tij Kryeprokurori Olsian Çela ka qenë tepër kritik me prokuroritë e rretheve në gjithë vendin duke kërkuar ti jepet fund pluhurit të harresës mbi dosjet e bujshme.
Ai theksoi se prokuroria duhet të bëjë më shumë si ndaj ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të parave ashtu edhe ndërhyrjet në regjistrin e kadastrës apo masakrës me pronat në bregdet.