Presione ndaj prokurorëve të SPAK, Çela: Mjaft më me dosje që nisin me bujë e i mbulon pluhuri
Kreu i SPAK Arben Kraja e pranon shqetësimin e ngritur edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim se në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të strukturës së posaçme ka patur shantazhe dhe kërcënime. Gjatë votimit për zgjedhjen e anëtarit të ri të KLP-së, prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela është shprehur kritik ndaj vartësve duke kërkuar që çështjet e hapura me bujë të mos mbulohen nga harresa.
Prokurorë dhe gjyqtarë të Gjykatës dhe Prokurorisë së Posacme që kanë në duar dosje te rëndësishme po përballen me kërcenime dhe shantazhe. Kjo është pranuar edhe nga kreu i kësaj strukture Arben Kraja, i cili shtoi se kjo nuk i ka penguar ata të vijojnë hetimet.
Arben Kraja:"Prokurorë e gjyqtarë të SPAK kanë padiskutim për të trajtuar çështje shumë të vështira dhe me personazhe shumë komplekse qoftë të krimit të organizuar, por dhe zyrtarë të nivelit të lartë që ju e dini që janë nën hetim. Në këtë kuadër ka pasur indicie që ka pasur edhe kërcënime dhe presione. Shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve të posaçëm kanë mbrojtje nga shteti, por secili prej tyre duhet të vazhdojë detyrën dhe funksionet siç e parashikon ligji"
Deklarata e Krajës u bë pas Asamblese se Prokurorëve që zgjodhën anëtarin e ri në KLP. Në këtë mbledhje, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela pati kritika në lidhje me dosjet që hapen me bujë, e që sipas tij po i mbulon pluhuri i harresës
"Numri i hetimeve te nisura kryesisht mbetet ende i ulët në raport më atë çfarë është pritshmëria. Ky tregues merr një rëndësi specifike nëse do ta vlerësonim edhe nga këndvështrimi i pritshmërive të publikut. Sistemi i drejtësisë duhet t’i kthejë qytetarëve besimin se më në fund institucionet e këtij vendi janë aty për t’u shërbyer atyre dhe jo vetvetes. Qëndrimi në pozita pritëse apo reagimi i vakët ndaj atyre që janë çështjet me rëndësi për vendin, dëmtojnë imazhin e institucionit dhe besimin e publikut tek ai. Prokurorët nuk duhet të neglizhojnë nisjen e verifikimeve dhe hetimeve në çdo rast kur ka denoncime publike serioze për fakte penale."
“Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet e nisura duhet të vazhdojnë e të thellohen për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit. Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse pasi përveç pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë thellësisht besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre. Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata, dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut.
Për anëtarin e ri të KLP-së kandiduan dy prokurorë të Apelit, Ledina Riza dhe Etjen Kapo, të cilët paraqiten edhe platformat e tyre para kolegeve. Në fund prokurorët zgjodhën për në KLP prokuroren Ledina Riza me 113 vota ndaj 83 votave që mori prokurori Etjen Kapo. Ndërsa si anëtar i bordit të magjistraturës u zgjodh prokurori Albert Kuliçi me 100 vota.
