Vodhi mjeken dhe infermieren e spitalit "Omer Nishani" në Gjirokastër, vihet në pranga 47-vjeçari

Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Gjirokastrës pasi akuzohet se i ka vjedhur portofolin dhe aparatin celular, një infermierje në ambientet e punës. Gjithashtu pas arrestimit u zbulua dhe një tjetër vjedhje portofoli, të një mjekje. 

Arrestimi i tij u bë falë operacionit policor të koduar "Urgjenca".

Autori i dy vjedhjeve, i dënuar disa herë më parë, për të njëjtën vepër penale.

“U kap dhe ndalua shtetasi i shpallur në kërkim R. B., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar disa herë më parë, për vjedhje”, njofton policia.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi në datën 15.09.2022, në ambientet e Spitalit Rajonal "Omer Nishani", Gjirokastër, i ka vjedhur shtetases M. N. (infermiere në këtë spital), portofolin në të cilin kishte 20 000 lekë të rinj dhe aparatin celular.   

Gjatë hetimeve u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i një tjetër vjedhjeje të kryer nga shtetasi R. B. Në datën 14.09.2022, në ambientet e Spitalit Rajonal "Omer Nishani", ky shtetas i ka vjedhur shtetases A. K. (mjeke në këtë spital) portofolin në të cilin kishte shumën 8 000 lekë të rinj. 

Matrialet në ngarkim të shtetasit R. B. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.